Militantët palestinezë hodhën qindra raketa nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit të mërkurën, teksa Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore, prej ku u vranë 23 palestinezë, duke përfshirë tre udhëheqës të lartë militantë dhe të paktën 10 civilë.
Pavarësisht një njoftimi nga një stacion televiziv shtetëror egjiptian se Egjipti, një ndërmjetës i shpeshtë midis dy palëve, kishte ndërmjetësuar një armëpushim, luftimet u intensifikuan të mërkurën në mbrëmje dhe asnjëra palë nuk dukej se ishte e gatshme të tërhiqej.
Të enjten, ushtria izraelite nisi një sulm ajror që kishte cak komandantin e skuadrës raketore, Ali Ghali, të fraksionit militat të quajtur Xhihadi Islamik, i cili ishte fshehur në një apartament në Rripin e Gazës. Ai dhe dy militantë të tjerë u vranë nga ky sulm ajror në një kompleks banimi në lagjen Khan Younis, të ndërtuar nga Katari.
Ushtria deklaroi se Ghali ishte i përfshirë në sulmet e fundit me raketa kundër Izraelit, por grupi militant nuk e ka komentuar një gjë të tillë.
Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendoi se Izraeli u kishte dhënë një goditje të ashpër militantëve.
“Ky rund nuk ka përfunduar”, tha Netanyahu.
“Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë. Ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur”, tha ai, duke shtuar se Izraeli do të vendosë gjithashtu kur të rivendoset qetësia.
Gjatë gjithë ditës në të gjithë Izraelin jugor dhe qendror u dëgjuan sirenat që paralajmëronin sulmet ajrore.
Luftimet e javës së fundit midis palëve janë ashprsuar, duke e shtyrë rajonin më pranë një lufte të plotë.
Luftimet e fundit midis Izraelit dhe militantëve palestinezë ishin më të ashprat në muajt e fundit, duke rritur rrezikun e një lufte në shkallë të gjerë. Megjithatë, kishte indikacione se të dyja palët po përpiqeshin të ushtronin përmbajtje.
Izraeli nuk e sulmoi Hamasin, grupin militant në pushtet, por përkundrazi u fokusua në fraksionin më të vogël dhe më radikal të Xhihadit Islamik. Hamasi nuk u përfshi në konflikt.
Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar katër luftëra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007. /REL