Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut dhe në veçanti në qytetet kryesore të saj, si: Shkupi, Tetova dhe Manastiri e kanë nxitur bashkësinë akademike të Universitetit të Evropës Juglindore, duke e ndjerë edhe përgjegjësinë shoqërore, të bëjë hapa konkret në dhënien e kontributit dhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete për uljen e parametrave të ndotjes dhe rritjen e cilësisë së ajrit.
Institutit “Maks van der Shtul”, në bashkëpunim me Universitetin e Birmingemit dhe IOM-in, janë duke punuar në një projekt të përbashkët në nxitjen e fushatave për cilësinë e ajrit dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete, gjithmonë duke u bazuar në dije dhe kapacitet lokale.
Në kuadër të këtij projekti, do të instalohen 10 sensorë për matjen e cilësisë së ajrit në Tetovë. Aktualisht janë vendosur 4 sensore dhe në muajt në vazhdim do të vendosen edhe 6 sensorët tjerë të planifikuar. Lokacionet e sensorëve janë caktuar në bazë të konsultimeve me partneret dhe hulumtuesit që punojnë në këtë fushë. Lokacione me trafik të ngjeshur, me trafik pasiv, qendra e qytetit dhe periferia janë disa nga vendet që do të vendosen sensorët.
Qëllimi është prodhimi i monitorëve të cilësisë së ajrit me kosto të ulët që mund të vendosen sipas nevojave dhe prioriteteve të identifikuara.
“Sensorët mbledhin të dhëna si ndryshon ndotja e ajrit në mjediset urbane dhe e matin ndikimin e ndotëseve të ajrit brenda qytetit tek grupet e cenueshme. Këto sensorë, po ashtu, ndihmojnë ta kuptojmë efikasitetin e ndërhyrjeve për ta përmirësuar cilësinë e ajrit. Sensorët e këtij lloji janë përdorur në shumë vende të botës dhe saktësia e tyre është evidentuar në shumë publikime akademike ”, thotë Prof. Dr. Mennan Selimi, bartës i projektit.
UEJL është pionier në zhvillimin e sensorëve me kosto të ulët, të kalibruar sipas kushteve lokale dhe të vendosur sipas prioriteteve lokale. Universiteti është duke krijuar lidhje me qeverinë dhe pushtetin lokal për të siguruar saktësinë e të dhënave që të mundet të veprohet sipas këtyre të dhënave.
Shkupi, Manastiri dhe Tetova raportohen si ndër 10 qytetet më të ndotura në Evropë, në vitin 2017. Cilësia e dobët e ajrit në Maqedoninë e Veriut gjithashtu kontribuon edhe në rritjen e vdekshmërisë – ndotja e ajrit me PM ishte faktori i tetë më i madh i rrezikut të vdekshmërisë në vitin 2016, i lidhur me 7.3% e vdekjeve në vend.
Partner të këtij projekti janë Universiteti i Evropës Juglindore (IMVDS), Universiteti i Birmingemit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Tetovës.