Infermierja Farizi: S’jam bërë ”pishman” që u largova nga Maqedonia!

PUNËSIMET PARTIAKE, NEPOTIZMI, POLITIZIMET – SHKAQE TË LARGIMIT

Mosfunksionimi i sistemit, punësimet partiake, politizimi i skajshëm, pagat, çështjet ekonomike dhe financiare janë ndër arsyet kryesore i largimit të trurit nga Maqedonia e Veriut.

Ish gazetarja dhe infermierja, Isnisha Farizi, për Klan Maqedoni thotë se një rrugëtim i tillë është mjaft i vështirë, por partizimi i institucioneve ka ndikuar për një vendim të tillë.

“Për fat të keq në kuadrot profesionale në Maqedoni, domethënë edhe shumë si ne që kemi kryer shkollimin profesional dhe jemi profesionalizuar në atë drejtimin tonë është dashur dhe duhet për fat të keq të trokasim në një shtëpi partiake. Domethënë në një parti për të kërkuar një vend pune” – tha Isnisha Farizi, infermiere.

Por, jo vetëm kaq! Edhe nepotizmi gjatë punësimeve ka ndikuar që gazetarja dhe infermierja fatin ta kërkojë në Gjermani.

“ Dyert janë të mbyllura. Sepse një parti politike e ka të punësuar xhaxhain, e ka të punësuar motrën dhe gjithë miqtë e tjerë. Kështu shkojnë brez pas brezi dhe i ka të zënë të gjithë vendet e punës dhe për ne të tjerët nuk ngelet asgjë. E vetmja zgjidhje për fat të keq e them është rruga drejt Evropës” – tha Farizi.

Isnisha Farizi thotë se tashmë ka bërë disa vite në Gjermani, ka marrë me vete familjen, kurse fëmijët vijojnë mësimin në shkollë dhe kanë filluar të adaptohen në sistemin gjerman. Thotë se nuk është bërë “pishman” për largimin nga vendi.

Nuk kam gabuar që jam larguar nga Maqedonia. Nuk kam gabuar shkaku se këtu të gjithë jemi të barabartë. Domethënë nuk shihet këtu se cilës parti I takon apo je auslander apo I huaj. Nuk ka asnjë lloj dallimi. Nëse je i sëmurë do trajtohesh si pacientët e tjerë në spital pa asnjë lloj bakshishi” – tha Isnisha Farizi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Gjermani (2022) jetojnë 222,000 persona më prejardhje nga Maqedonia e Veriut prej të cilëve 158,000 kanë lindur në Maqedoninë e Veriut – thuhet në të dhënat e publikuara nga nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi.

Në vitet 2020-2022 numri i personave me prejardhje nga Maqedonia e Veriut është rritur 44 %. Pra, për dy vite nga Maqedonia e Veriut, sipas këtyre të dhënave, nga vendi janë larguar 4.6% e popullsisë së përgjithshme. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share