Infermierja amerikane rrëfen tmerrin në Gaza: Fëmijët vinin në spital me djegie masive në fytyrë…(VIDEO)

Ka punuar në Gaza dhe është kthyer në SHBA javën e shkuar. Një infermiere amerikane ka rrëfyer për CNN ‘tmerrin që ka parë me sy’. Emily Callahan thotë se mijëra palestinezë po përballen çdo minutë me bombat e Izraelit.

“Në spital vinin fëmijë me djegie masive në fytyrë, poshtë qafës, në të gjitha gjymtyrët e tyre. Për shkak të mbingarkesës, shumica largohen pa marrë trajtim”, u shpreh Emily. “Nuk ka ujë të pijshëm, janë mbi 50 mijë njerëz nëpër kampe dhe ato konsumojnë ujë çdo 12 orë, jo më shpesh”, shtoi më tej.

Sipas Callahan në javën e dytë të konfliktit, bombat hodhën në erë ambulancën e spitalit, duke vrarë disa kolegë të saj. Kur erdhën urdhrat e evakuimit për t’u larguar nga Gaza, Callahan tha se ajo menjëherë u dërgoi mesazh anëtarëve të stafit të spitalit për të parë nëse ata do të vinin me të.

“Unë u thashë të zhvendosen, e vetmja përgjigjie që mora ishte: ky është vendi ynë, kjo është familja jonë. Nëse do të na vrasin, më mirë të vdesim duke u përpjekur për të tjerët.”

Emily thotë se që prej largimit, mendon çdo ditë për kolegët dhe njerëzit që la atje.

“Zgjohem çdo mëngjes dhe u dërgoj një mesazh: ‘A je gjallë? Të njëjtën gjë përsëris para se të fle.”

Izraeli ka nisur një seri sulmesh ajrore shkatërruese dhe të vazhdueshme në Rripin e Gazës që kur i shpalli luftë Hamasit më 8 tetor. Të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu anashkaloi thirrjet për një armëpushim, duke thënë se nuk do të ishte e mundur “pa kthimin e pengjeve”.

Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë, ndërsa zyrtarët e Gazës thonë se mbi 10,000 palestinezë kanë vdekur, me mijëra të tjerë të plagosur./tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share