Presidenti i FIFA propozon që kur tifozët përfshihen në incidente raciste, ekipet të humbin në tavolinë
Episodi i radhës i racizmit brenda një stadiumi solli reagimin e presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, i cili propozon masa të ashpra për të luftuar fenomenin e shëmtuar.
Ai zotohet se do të ketë penalitete të ashpra edhe ndaj klubeve, të përfshira në të tilla ngjarje.
Sipas kreut të institucionit botëror të futbollit, ngjarjet e së shtunës në Udine ku u ofendua portieri i Milanit Manjo dhe në Sheffield ku pati ofendime raciste ndaj mesfushorit të Koventrit Palmer, janë të papranueshme e neveritëse. Në një komunikatë për shtyp, kreu i FIFA e bën të qartë se nuk ka vend për racizmin apo forma të tjera të diskriminimit në futboll, e po ashtu në shoqëri.
Në reagimin e tij, Infantino si edhe bota e futbollit shfaqin solidaritet të plotë për viktimat e racizmit të çdo forme dhe diskriminimi. “Një herë e përgjithmonë: jo racizmit”, ishte mesazhi i kreut të institucionit botëror të futbollit.
Klan News