India kërkon të futet në librat e historisë për udhëtimin në Hënë. Sot, anija kozmike indiane “Chandrayaan-3” pritet të bëjë ulje të suksesshme në polin jugor të Hënës.
Misioni i anijes kozmike është të kërkojë ujë të ngrirë në këtë anë të Hënës. Shkencëtarët thonë se nëse ekziston uji i ngrirë, kjo mund të mbështesë planet që në të ardhmen njerëzit të jetojnë në Hënë.
Kujtojmë se disa ditë më parë, anija kozmike e Rusisë doli jashtë kontrollit dhe u përplas në sipërfaqen e Hënës teksa tentoi të ulej në polin jugor për të kryer të njëjtin mision, atë të gjetjes së ujit.
Nëse anija kozmike e Indisë arrin të ulet në mënyrë të suksesshme, do të jetë vendi i katërt që ulet në Hënë pas SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.
Anija hapësinore u nis nga India më 14 Korrik dhe sot pritet të bëhet ulja në Hënë. Në Indi janë përgatitur për të bërë një transmetim direkt televiziv të uljes së anijes kozmike që do të ndiqet nga miliona vetë.
Shkencëtarët thonë se kanë bërë disa simulime për të shmangur përplasjen dhe për të bërë një ulje të sigurt. Ndërkohë, anija kozmike gjatë këtyre ditëve ka filmuar sipërfaqen hënore dhe po përpiqet të gjejë një vend të sigurt për të realizuar uljen, e më pas të nisë kërkimet shkencore.
/tvklan.al