ZGJEDHJET 2024
Ish-kandidati për president të vendit, Imer Selmani, vlerëson se, fushata për zgjedhjet presidenciale do të jetë shumë më e intensifikuar në krahasim me herët e tjera, me një garë shumë konkurruese. Ai gjatë emisionit Klan Debat tha se, zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në prill dhe maj, ndryshojnë nga ato të mëparshme, duke qenë se në raundin e parë zgjedhor do të jenë dy kandidatë nga partitë e shqiptarëve, Bujar Osmani dhe Arben Taravari.
“Me shqiptarët situata është ndryshe, votuesit shqiptarë do të zgjedhin mes dy kandidatëve Bujar Osmani dhe Arben Taravari. Do të ketë një debat të ashpër sepse të dy janë jashtëzakonisht të mirë dhe aktivë në skenën politike. Fushata do të jetë mjaft intensive, votuesit do të animohen për të votuar për njërin prej tyre. Pendarovski tani nuk mund të presë mbështetjen e shqiptarëve në rrethin e parë zgjedhor. Gara do të jetë interesante” – tha Imer Selmani, ish-kandidat për President.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare, Selmani tha se qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e kompromiseve. Ajo sipas Selmanit, nuk duhet të ketë minimum vetëm 61 deputetë, por edhe minimum 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese.
“Negociatat për përbërje të Qeverisë së re do të jenë të vështira. Nuk do të jetë e lehtë mënyra për dakordimin dhe negocimin, por është legjitime të vendosen në tavolinë të gjithë propozimet dhe kërkesat dhe të bisedohet. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, por edhe për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të shtetit në Kuvend” – tha Imer Selmani, ish-kandidat për President.
Selmani nuk deshi të jap parashikime se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por vlerësoi se do të kemi Qeveri e cila do të jetë rezultat i kompromiseve dhe se nuk do të jetë njëjtë para dhe pas zgjedhjeve. /tvklan.mk/