Ilir Ikonomi sjell në Shkup librin biografik për Fan Nolin

“APOSTULLI” – FAKTE TË PANJOHURA PËR NOLIN NË SHBA

Studiuesi Ilir Ikonomi përuroi sot në Shkup, librin biografik “Apostulli”, kushtuar klerikut, shkrimtarit dhe politikanit Theofan Stilian Noli, një personalitet i shquar i Shqipërisë dhe i komunitetit shqiptaro – amerikan nga fillimi i shekullit të kaluar.

Gazetari i njohur i Radio Tiranës dhe i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, i cili ka shkruar një gamë të gjerë librash historikë për disa nga figurat më të rëndësishme shqiptare, solli edhe në Shkup biografinë kushtuar Fan Nolit, njofton KlanM.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Autori e përshkruan Fan Nolin si një nga shqiptaret më të ditur dhe më interesant që ka ekzistuar ndonjëherë. Ka ndarë me lexuesit e Shkupit, punën e tij voluminoze.

“Kjo është një punë e madhe dhe ndodh diçka pastaj, që ti kur ke gjithe këtë material, ky është si një oqean i madh që t`i futesh aty dhe thua a do ta kaloj dot apo jo. Ky është një problem i madh. Gjatë studimeve te mia ka pasur momente që unë kam thënë jo nuk bëhen dhe e kam lënë punën”, tha Ilir Ikonomi, autor i librit “Apostulli”.

Autori Ilir Ikonomi, siç njofton KlanM, krahas për librin e tij, ka folur edhe për shqiptarët, për Shqipërinë por edhe Kosovën.

“Unë me thënë të drejtën jam bërë gjithmonë edhe me optimist për shqiptarët si komb. Se sot ka pikëpamje shumë pesimiste që, në Shqipëri për shembull thonë që jo ne s`bëhemi si shtet e kështu. Po si s`bëhemi si shtet?! Ne s`kemi qenë gjë fare, ne kemi qenë nën Turqinë, Shqipëria nuk ekzistonte. Dhe, ne kemi jo një shtet, por dy shtete sot.”, tha Ilir Ikonomi.

Në vëllimin e parë të këtij studimi, autori sjell një mori faktesh të panjohura për jetën e Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1906-1920, mbi veprimtarinë e tij patriotike, kulturore dhe publicistike.

Dalja në pension nuk e ndal Ilir Ikonomin. Ai vazhdon të shkruajë me përkushtim dhe madje gjatë promovimit të librit bëri të ditur se ky nuk është libri i fundit kushtuar Nolit. Autori tha se do të ketë një vëllim të dytë për Nolin si politikan./KlanMacedonia

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share