TARAVARI NË FB: KUJDES, ILAÇE TË KËTILLA MUND TË DËMTOJNË SHËNDETIN!
Vazhdon praktika e shfrytëzimit të fytyrave të mjekëve të ndryshëm si keqpërdorime për shitjen e ilaçeve të pretenduara.
Në shënjestër të mashtruesve të këtillë, sic njofton KlanM, është gjetur edhe Kryetari i ASH-së dhe i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Ai, si mjek, përmes një postimi në Facebook, duke publikuar edhe fotografitë e reklamuesve me pamjen e tij, të ilaçeve të pretenduara për dobësim, bën thirrje për kujdes.
“I bëj thirrje njerëzve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur hasin në përmbajtje të tilla, të cilat në rrethana të caktuara mund të shkaktojnë madje dëme të mëdha në shëndetin e tyre. Prioriteti im ka qenë gjithmonë kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Të gjithë qytetarët duhet të kenë akses në informacione të sakta dhe të besueshme kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. U bëj thirrje institucioneve të marrin masa ndaj reklamave të tilla false, të cilat jo vetëm që mund të mashtrojnë konsumatorët, por edhe të shkaktojnë rreziqe serioze për shëndetin e tyre” – shkruan Taravari në Facebook.
Mashtrimet për ilaçe të pretenduara, nuk janë dicka e re në vendin tonë.
Kohë më parë, Klan Maqedoni, hulumtoi promovimin e ilaçit “Ozempik” si mjet efikas për dobësim. Por, në fakt sic u tha në storjen e KlanM, bëhet fjalë për ilaç të regjistruar për trajtimin e sëmundjes Diabeti të tipit 2.
Nga MPB-ja thonë se reklamat e rreme vijnë nga jashtë vendit, kurse për zbardhjen e tyre kërkohet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Një përvojë të këtillë me reklamat e rreme, sic përcjell KlanM, ka pasur edhe mikrobiologu, Nikola Panovski. Ai përmes një interviste të sajuar ka “reklamuar” çajin që mjekon parazitët. Rasti i tjetër është edhe i kardiologut, Sashko Kedev, i cili gjithashtu në një intervistë fiktive, në emër të tij, njerëzve u shiten tableta për të jetuar mbi 120 vite./KlanMacedonia/