IDEA: Vetëm 5.47% e shfrytëzuesve të programit “Blej shtëpi, blej banesë” nga komunat me shumicë shqiptare

Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) ka bërë një analizë të statistikave të marrura nga ana e Ministrisë së Financave për programin “Blej shtëpi, blej banesë” (2012 – 2022).

Programi “Blej shtëpi, blej banesë” u lansua në vitin 2012 në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përfundoi në vitin 2022. Qëllimi i programit ishte të ofroj ndihmë financiare për blerjen e shtëpive dhe banesave për çiftet e reja, me qëllim të rritjes së nivelit të pronësisë dhe investimeve në sektorin e ndërtimit. Mënyra e realizimit ishte përmes ofrimit të subvencioneve dhe ndihmave financiare.

Gjatë kësaj periudhe nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë miratuar gjithsej 2,048 kërkesa për kredi të subvencionuara për banim. Rezultatet tregojnë një ndryshim të numrit të kërkesave të miratuara nga viti në vit, duke filluar nga 104 kërkesa në vitin 2012 dhe duke përfunduar me 53 kërkesa në vitin 2022. Shuma e subvencioneve të dhëna nga ana e shtetit për këtë projekt ka arritur mbi 18 milionë euro, ndërsa shuma e kredive të miratuara nga bankat komerciale është më shumë se 75 milionë euro.

Komunat nëpër të cilat është shfrytëzuar më së shumti ky program kanë qenë komunat e Qytetit të Shkupit duke përbërë 42.1% të aplikimeve të pranuara, ku në vend të parë radhitet komuna e Kisella Vodës me gjithësej 398 aplikime, apo 19.43% nga aplikimet e pranuara totale.

Komunat me numër më të lartë të aplikimeve të pranuara jashtë Qytetit të Shkupit janë: komuna e Shtipit me 52 aplikime, komuna e Ilindenit me 51 aplikime, komuna e Koçanit me 49 aplikime, komuna e Ohrit me 43 aplikime, etj. Në anën tjetër, komunat me numër më të vogël të aplikimeve të pranuara janë: komuna e Gostivarit dhe Tetovës me nga 9 aplikime, komuna e Sveti Nikollës me 8 aplikime, komuna e Dibrës dhe Çuçer Sandevo me nga 7 aplikime, etj.

Në komunat me shumicë shqiptare projekti “Blej shtëpi, blej banesë” ka pasur vetëm 112 aplikime të pranuara, apo gjithsej 5.47% nga gjithsej aplikimet e pranuara, ku më së shumti është shfrytëzuar në komunën e Strugës (37 shfrytëzues), Kërçovës (25 shfrytëzues) dhe Çairit (23 shfrytëzues).

Programi “Blej shtëpi, blej banesë” duhet të shihet si një projekt i rëndësishëm në përkrahjen e qytetarëve dhe sidomos të rinjëve, për të siguruar banesat apo shtëpitë e tyre. Meqenëse programi ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në jetën e shumë të rinjëve, është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ndërhyjë në përmirësimin e programit, ashtu që subvencionet të arrijnë tek ata që kanë nevojë dhe të kenë impakt pozitiv në jetën e tyre.

Ne si Institut e inkurajojmë edhe qeverinë aktuale, por, edhe secilën qeveri që mund të jet nesër, që të vazhdojë me këtë program, sepse është një mundësi e mirë për të rinjtë që kanë nevojë dhe duan të marrin banesë apo të ndërtojnë shtëpinë e tyre. Kështu ne vlerësojmë se ky projekt ndikon sado pak në zbutjen e emigracionit masiv që po ndodh në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share