IDEA: Varshmëria nga bixhozi problem serioz, mbi 690 milionë euro janë shpenzuar në lojëra të fatit në vitin 2022 në RMV

Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike-IDEA në panelin e diskutimit të organizuar sot ka prezantuar hulumtimin mbi numrin dhe të hyrat e kompanive që organizojnë lojëra të fatit. Të dhënat tregojnë që në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë përafërsisht 1.416 pika në të cilën qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 18 pika për çdo komunë, duke përjashtuar lojërat e fatit online. Ky numër tregon për prezencë jashtëzakonisht të madhe të pikave ku mund të luhen lojëra të fatit, njëkohësisht edhe ekspozim të vazhdueshëm dhe qasje shumë të lehtë për secilin qytetar në lojëra të fatit.

Sa i përket të hyrave, hyrat totale të 56 kompanive për vitin 2021 ishin 556,115,216 euro, ndërsa ato u rritën në 690,885,917 euro në vitin 2022, apo një rritje prej 21%. Përkthyer në ditë, kjo i bie që për çdo ditë gjatë vitit 2022, 56 kompanitë e lojërave të fatit kanë realizuar nga 1.7 milion euro. Këto të hyra janë kryesisht të hyra të cilat janë realizuar përmes lojërave të fatit, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që lojërat e fatit të jenë përdorur si mekanizëm i shpërlarjes së parave. Ajo çfarë i ngritë edhe më shumë dyshimet janë profitet jashtëzakonisht të ulëta të këtyre kompanive. Pra, 3 kompanitë me të hyra më të larta, Pro-Beting DOO (146,130,304 euro), Sport Life Treid DOO (82,286,864 euro) dhe Kazinos Austria DOO (81,326,025 euro), kanë paraqitur që kanë realizuar më pak se 1% profit nga të hyrat e përgjithshme. Kjo shkallë e profitit nuk është e përafërt as me lotarinë shtetërore por as me profitin e kompanive të ngjashme në Europë. Prandaj, instituti IDEA ngre dyshimet për mundësinë e evazionit fiskal por edhe të shpëlarjesh së parave, dhe njëkohësisht rekomandon kontrolle të shtuara nga institucionet shtetërore ndaj këtyre kompanive.
Në panelin e diskutimit u shqyrtua edhe propozim ndryshimi për Ligjin për Lojërat e fatit, me ç’rast instituti IDEA paraqiti rekomandimet mbi zgjidhjen optimale të problemit me lojërat e fatit. Instituti IDEA vlerëson meritat e propozim-ndryshimeve në pjesën e kufizimit të numrit pikave të cilat mund të hapen me një licencë, megjithatë nuk i sheh këto ndryshime të mjaftueshme për adresim efektiv të problemit me lojërat e fatit. Distanca prej 500 metrash nuk do të ketë ndikim të madh meqë marketingu do të vazhdojë t’i ekspozojë të rinjtë ndaj lojërave të fatit si dhe lojërat e fatit online do të japin qasje edhe më të madhe sesa të qenurit afër shkollave. Po ashtu, liberalizimi i tregut konkurrenca e shtuar në mes të kompanive të lojërave të fatit do ta thellojë edhe më shumë problemin meqë kompanitë do të garojnë me njëra tjetrën për më shumë konsumatorë, pra që të krijojnë sa më shumë njerëz të varur nga bixhozi. Prandaj, instituti IDEA përkrah versione më strikte, deri në masën e mbylljes totale të kompanive të lojërave të fatit sipas modelit të Kosovës.

Panelistët një zëri në mënyrë të pakoordinuar paraprakisht përfunduan në konstatime të ngjashme për sa i përket pasojave që vijnë nga lojërat e fatit. Prishja e institucionit më të rëndësishëm familjes, divorcet, dhuna brutale në familje, thellimi në borxhe, humbja e pronave, dhe kalimi në varfëri ekstreme.
Në panelin e diskutimit morën pjesë deputeti Halil Snopçe, kryefjala e të cilit në fjalimin e tij ishte mungesa e përkrahjes mediatike në iniciativat e tij që ka marr përbrenda Kuvendit në drejtim të mbylljes totale të kazinove. “Kam qenë i vetmi deputet në Kuvend që kam marr iniciativë dhe kam bërë përpjekje që të jetësohet iniciativa për mbylljen totale të kazinove. Por, për fat të keq nuk kamë hasur përkrahje të asnjë personi fizik apo juridik. As organizatat jo qeveritare as mediat dhe as kolegët tjerë deputetë. Këtu duhet të bëjë një përjashtim, që vetëm Izet Mexhiti, në mënyrë publike ka shprehur përkrahje ndaj iniciativës së partisë tonë që të mbyllen kazinotë. Ne shpesh here me studentët në ligjërata në lëndën e probalitetit kemi bërë analiza të lojërave të fatit që nga aspekti matematikor humbja është enorme dhe e paparamendueshme për klientët” tha Snopçe.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në fjalën e tij tha që në Komunën që ai drejton bastoret hapen Brenda natës ndërkaq numri i kazinove është jashtëzakonisht i madh. “Pushteti lokal në kuadër të kompetencave që posedojmë e kemi të pamundur të mbyllim kazino nga kjo kuptohet që as nuk mund të hapim. Prandaj, pushteti LSDM- BDI – VRMO nuk e lëshojnë Ministrinë e Financave sepse nga aty jepen licencat dhe lejet e funksionimit të kazinove dhe bastoreve sportive. Pra, këto funksionojnë si një zinxhir që gjithë hallkat i kontrollojnë vetë ata” tha Ganiu.

Xhemal Abdiu, kryetar I Lëvizjes Anti-Bixhoz, në fjalën e tij tha që përshëndet secilin hap që ndërmerret në drejtim të mbylljes totale të kazinove. Por, që në mënyrë eksplicite sqaroi që Lëvizja që drejton ai nuk pajtohet me propozim ndryshim Ligjin për lojërat e fatit të propozuar nga Qeveria. “Ne si Lëvizje nuk pajtohemi dhe nuk jemi të kënaqur me propozim ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit, sepse aty thuhet largimi i kazinove 500 metra nga shkollat. Ndërkaq, Lëvizja jonë ka kërkesë të vetme dhe të padiskutueshme mbylljen totale të kazinove. Vendet më të zhvilluara në botë me ekonomi dhe standard shumë të lartë posedojnë numër shumë më të vogël të kazinove, te ne në secilin kënd nga një kazino. Kazinot na kanë ardhur te pragu shtëpisë, duhet të mobilizohemi që të largojmë këtë të keqe të përgjithshme”, përfundoi Abdiu.

Nga fusha akademike folës ishte profesori i mirënjohur dhe sociologu, Ali Pajaziti, i cili dha një sqarim nga aspekti social për pasojat e funksionimit të kazinove, për degradimin e shoqërisë dhe rrënimin e institucionit familje. Madje, ai tregoi edhe një përvojë personale që ndokush i ka kërkuar që vetëm t’i lë disa dokumente në një bastore të afërt, që ky i fundit ka refuzuar të futet në ato objekte qoftë edhe për një rast të tillë. Dhe, kjo duhet të shërbejë si mesazh senizibilizimi për të rinjtë që rreptësishtë duhet t’i injorojnë frekuentimin në ato lokale. “Kazinot dhe bastoret unë i quaj lokale gjencidale dhe klientët e tyre një ushtri e humbur. Institucioni më i rëndësishëm i shoqërisë është familje, kazinotë e bastoret në mënyrë të drejtpërdrejt e dëmtojnë e sulmojnë deri në shkatërrim familjet tona të cilat janë në prag të varfërisë dhe luftojnë për të mbijetuar. Bota akademike, shoqëria, organizatat joqeveritare një zëri duhet të jemi të unifikuar në ndaljen e këtij “gjenocidi” që po i shkaktohet familjeve tona para syve tanë” tha Pajazitit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share