Ibrahimi: Politikanët shqipfolës të pushtetit mundohen të “na bindin” se i rëndëshëm është integrimi dhe jo emërtimi i gjuhës shqipe

Sekretari i Përgjishtëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi përmes një kumtese ka reaguar ndaj zërave se më me rëndësi ka integrimi dhe jo heqja e 20% nga Kushtetuta e Maqedonisë.

”Para shumë viteve, në protestën e 13 qershorit 2015, ndër sloganet kryesore të protestës e kishim “Don’t call me 20%!”. Dhe, sa më shumë që afrohet koha për të diskutuar për ndryshimet kushtetuese, gjithnjë e më shumë shtohen zërat e politikanëve shqipfolës të pushtetit që “na bindin” se “me rëndësi është integrimi dhe jo emërtimi i gjuhës shqipe”. Ashtu si atëherë kur bashkim-vëllazërimi ishte më i rëndësishëm se kërkesat e shqiptarëve, pastaj u bë anëtarësimi në NATO më i rëndësishëm se kërkesat e shqiptarëve, sot integrimi në BE është më i rëndësishëm se interesat e shqiptarëve.

E mua nuk më vjen inat që gjenden disa të a.q. shqiptarë që i mbrojnë interesat “madhore” dhe mashtrojnë pa u turpëruar fare, por më vjen inat nëse mendojnë se vërtet ne u besojmë. Po për çfarë integrimi europian mund të flitet nëse maqedonasit kanë alergji që gjuhën shqipe ta quajnë “gjuha shqipe”, andaj duhet të përdorin një eufemizëm të turpshëm, 1 km të gjatë, që flet për albanofobinë që nuk shuhet dot?! Kjo është njësoj si atëherë kur diplomatët e huaj, për shkak të presionit grek, e quanin Maqedoninë “vendi juaj”, “shteti juaj”, “kombi juaj” dhe maqedonasit irritoheshin se “pse nuk na e përmendni emrin?”. E tash po këta maqedonas, deri dje viktimë të mospërmendjes, sot shndërrohen në agresorë dhe i kam albanonervoza nëse në kushtetutë duhet të shkruhet “gjuha shqipe”.

Po ata që e ndërruan emrin e shtetit, sepse u bënë presion grekët, refuzojnë ta heqin emërtimin ofendues të gjuhës shqipe për shkak të kohezionit ndëretnik me bashkëqytetarët shqiptarë. Kjo i bie se pranohet presioni i atij që është i fortë, por jo edhe kërkesa e atij që është më i dobët. Të merremi vesh: jo që nuk është me rëndësi integrimi – si synimi ynë strategjik, por pyetja është se pse gjithnjë shqiptarët duhet ta paguajnë çmimin?

Sidoqoftë, shqiptarët duhet ta thonë zëshëm se nëse varet integrimi nga kjo patologji albanofobe, që urren ta përmendë gjuhën shqipe, ata nuk duhet të përtojnë ta mbrojnë gjuhën shqipe edhe me atë çmim. Ndoshta pastaj shqiptarët shpikin ndonjë zgjidhje tjetër më kreative e më alternative!” – thuhet në kumtesën Zeqirija Ibrahimit – Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share