I vuri flakën të dashurës, burri dënohet me 15 vjet shtesë burg pas vdekjes së saj 21 vite më vonë

Një burrë u dënua me 15 vite shtesë burg, pas vuajtjes së dënimit 18-vjeçar për zjarrvënien e partneres së tij dhe shkaktimin e vdekjes së saj 21 vite më vonë.

Steven Craig, 58 vjeç, mbuloi me benzinë Jacqueline Kirk dhe i vuri flakën në një parking makinash në Weston-super-Mare, Somerset në Prill 1998, shkruan “Sky”.

Për veprën e tij ai kaloi 18 vjet në burg, por pas vdekjes së Kirk në Gusht 2019 u arrestua sërish dhe u akuzua për vrasje. Muajin e kaluar, juria e Bristol Crown Court e shpalli fajtor.

Gjatë shpalljes së dënimit të enjten, gjykatësja e cilësoi aktin e Craig “sadist” dhe sulmin si të “planifikuar dhe të paramenduar”. “Vepra juaj ishte sadiste, zjarrvënie me qëllim e kokës dhe kraharorit të saj. Çdokush që përdor benzinë duhet të jetë i ndërgjegjshëm për nivelin e seriozitetit të veprimeve të tyre. Ishte kaq mizore dhe brutale”, tha ajo teksa i dha një afat minimal dënimi 34-vjeçar.

Në gjyq u tha se sulmi i vitit 1998 ndaj Kirk shkaktoi djegie në 35% të trupit të saj duke bërë që t’i duheshin 14 operacione, përfshirë grafte lëkure dhe një trakeotomi. Ajo jetoi deri në moshën 61-vjeçare dhe mundi të shihte dy fëmijët e saj të martoheshin e të bëhej gjyshe.

Në vitin 2019, një ditë pasi u pranua në spital, mjekët refuzuan ta operonin për shkak të gjendjes së saj delikate dhe Kirk ndërroi jetë.

Gjykatësja foli gjatë edhe për të ndjerën, e cila për shkak të lëndimeve, parashikohej të jetonte vetëm 10 vjet, por ia doli të mbijetonte dyfish më shumë. “Kishte gjithnjë dhimbje dhe vuante nga depresioni e makthet. Plagët dhe shpërfytyrimi i saj ishin të tmerrshme. Frymëmarrja ishte e vështirë, të ngrënit dhe të pirët ishin të vështira. Ajo përjetonte përçmim në rrugë për shkak të shenjave në fytyrë”.

Kirk e kishte marrë Craig në shtëpinë e saj kur ai ishte i pastrehë dhe kishte probleme me alkoolin e drogën. Çifti pati një marrëdhënie të dhunshme, ai i “krisi nofullën” dhe “e kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste”.

Tre ditë përpara sulmit me benzinë, ai e kishte mbyllur në një tualet në stacionin e trenit, ku ajo qëndroi për tre ditë derisa një pastrues i hapi derën. Pas 7 muajsh në spital dhe pasi mori vesh që ai kishte përdhunuar dhe lënduar rëndë fizikisht një grua tjetër me të cilën ishte lidhur, Kirk njoftoi policinë për çfarë kishte ndodhur.

Gjyqi evidentoi se Craig ishte i varur nga drogërat në moshën 21-vjeçare dhe pavarësisht se kishte shprehur “dëshirën për të mos kryer asnjë akt seksual” ndërsa ndodhej në burg, kishte fajësuar shpesh alkoolin dhe viktimat për krimet e tij.

Craig ka pranuar fajtorësinë për sulmin, por jo për vdekjen e saj. Edhe nëse del nga burgu, ai do të jetë gjithë jetën në liri me kusht./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share