I nxehti ekstrem, shkencëtarët: Ja kush është shkaktari

Pas një qershori të nxehtë rekord, zona të mëdha të SHBA-së dhe Meksikës, Evropës Jugore dhe Kinës përjetuan nxehtësi ekstreme në korrik 2023, duke thyer shumë rekorde lokale të temperaturave të larta.

Temperaturat tejkaluan 50C më 16 korrik në Death Valley në SHBA si dhe në Kinën Veriperëndimore (CNN). Rekorde u arritën gjithashtu në shumë stacione të tjera meteorologjike në Kinë dhe rekordi i nxehtësisë kineze u thye në Sanbao më 16 korrik. Në Evropë, dita më e nxehtë ndonjëherë u regjistrua në Katalunja dhe rekordet më të larta të temperaturës minimale ditore u thyen në pjesë të tjera të Spanjës .

“Disa vdekje nga nxehtësia janë konfirmuar në SHBA, duke përfshirë emigrantë në kufirin me Meksikën. Vetëm në Meksikë mbi 200 njerëz vdiqën për shkak të të nxehtit. Spanja, Italia, Greqia, Qiproja, Algjeria dhe Kina gjithashtu raportuan vdekje nga nxehtësia, si dhe një rritje të madhe të shtrimeve në spital për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë. Një pjesë e madhe e popullsisë në Itali dhe Spanjë dhe mbi 100 milionë njerëz në jug të SHBA-së janë nën alarmin e të nxehtit. Në të tre rajonet, kërkesa për energji u rrit dhe ndikoi negativisht një numër kulturash të rëndësishme, duke përfshirë vajin e ullirit në Spanjë dhe prodhimin e pambukut në Kinë” , thuhet në deklaratën e shkencëtarëve të World Weather Attribution.

Valët e të nxehtit janë ndër rreziqet natyrore më vdekjeprurëse me mijëra njerëz që vdesin nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë çdo vit. Megjithatë, ndikimi i plotë i një valë të nxehti rrallë dihet saktësisht sepse shumë vende nuk kanë një regjistrim të saktë të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, prandaj shifrat e vdekshmërisë globale të disponueshme aktualisht janë të nënvlerësuara.

“Ky ndryshim i klimës ka një shkaktar kryesor. Ai është njeriu, “dora” e të cilit ka luajtur një rol “absolutisht shkatërrues” në valët ekstreme të të nxehtit që kanë përfshirë Amerikën e Veriut, Evropën dhe Kinën”, ky është dhe vlerësimi më i rëndësishëm i shkencëtarëve të World Weather Attribution i publikuar sot.

Në përputhje me atë që pritej nga parashikimet e kaluara të klimës dhe raportet e IPCC, Amerika e Veriut, Evropa dhe Kina kanë përjetuar gjithnjë e më shpesh valë të nxehti gjatë viteve të fundit si rezultat i ngrohjes së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, prandaj valët aktuale të nxehtit nuk janë të rralla. Tashmë këto temperatura të larta do t’i përjetojnë afërsisht 1 herë në 15 vjet në rajonin SHBA/Meksikë, 1 herë në 10 vjet në Evropën Jugore dhe 1 herë në 5 vjet në Kinë.

Nëse njerizimi nuk do të kishte qenë kaq vetë shkatërrues duke ngrohur planetin, ngjarje të tilla klimatike do të ishin jashtëzakonisht të rralla.

P.sh. Kina do të kishte përjetuar valë të tilla të nxehti 1 herë në 250 vjet, ndërsa nxehtësi maksimale si në korrik 2023 do të kishin qenë praktikisht të pamundura të ndodhnin në rajonin SHBA/Meksikë apo në Evropën Jugore.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share