I NXEHTI AFRIKAN
Vendi ynë edhe gjatë së shtunës gjendet në fazën portokalli të të nxehtit ekstrem
Metereologët thonë se në pjesën jugore të vendit, priten temperatra mbi 40 gradë Celsius.
Mbeten në fuqi rekomandimet e Qeverisë. Bëhet thirrje që pa nevojë të mos dilet jashtë, por nëse e keni patjetër me vete mbani ujë dhe kapelë mbrojtëse. Pini më shumë lëngje dhe konsumoni ushqim të lehtë.
Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar tetë zjarre në ambiente të hapura dhe disa intervenime më të vogla. Zjarri është ende aktiv në zonën afër fshatit Cer të Kërçovës, i cili disa ditë është me intensitet të ndryshëm.
Dje, në këtë rajon, kishte intervenuar Helikopteri I MPB-së Bel – 412 duke hedhur 20 ton ujë për të parandaluar vatrat e zjarrit që rrezikonin pyjet.
Nga ana tjetër, metereologët paralajmërojnë se nga nesër pasdite dhe gjatë javës së ardhshme, do të ketë rënie të temperaturave.
Por, për shkak të energjisë së madhe të akumuluar në atmosferë, për shkak të të nxehtit ekstrem, lokalisht priten procese intensive në formë të motit të lig, me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe breshëri si dhe shkarkime të fuqishme elektrike.
Bëhet thirrje që në rast të motit të lig, qytetarët të jenë të kujdesshëm, të mos qëndrojnë në ambiente të hapura dhe nën drunj të vetmuar./tvklan.mk/