Hungaria paralajmëron luftë

Orbán: Një sulm në rrjedhën e jugut do të ishte një arsye për të shpallur luftë

Në një intervistë për kanalin informativ amerikan “Fox News”, Kryeministri hungarez Viktor Orban paralajmëroi përfshirjen e vendit të tij në luftë nëse hidhet në erë gazsjellësi “Rrjedha e Jugut” përmes të cilit gazi vjen nga Rusia përgjatë Turqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë.

“Ne hungarezët e bëmë menjëherë të qartë se ekziston një tjetër gazsjellës – jo ‘Rrjedha e Veriut’, por ‘Rrjedha e Jugut’, përmes të cilit gazi vjen nga Rusia përgjatë korridorit jugor – Turqia, Bullgaria, Serbia dhe Hungaria.

Së bashku me Presidentin e Serbisë e kam bërë të qartë se nëse dikush dëshiron të bëjë të njëjtën gjë me korridorin jugor siç është bënë me atë verior, atëherë do ta konsiderojmë si shkak lufte, sulm terrorist dhe do të reagojmë menjëherë”.

Orban nuk specifikoi se kujt i drejtohej paralajmërimi i tij për luftë, por tha vetëm se nuk bëhej fjalë për Rusinë.

Gazetari i “Fox News”, Carlson, nga ana e tij, tha se i duket “shumë e qartë” se Nord Stream u hodh në erë vitin e kaluar nga administrata e Presidentit amerikan Joseph Biden, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Shkatërrimi i gazsjellësit Nord Stream ose në shqip “Rrjedhës së Veriut” i cili çon gazin natyror nga Rusia në Gjermani u cilësua asokohe nga Hungaria si një akt terrorizmi.

Viktor Orbán, iu referua edhe marrëdhënieve disi të ftohta me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij edhe pse të dyja shtetet janë anëtarë të NATO-s, hungarezët sipas tij po trajtohen më keq sesa rusët.

Që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në Shkurt 2022, qeveria e Orbanit ka ruajtur lidhjet e saj të ngushta me Moskën dhe ka kërcënuar të bllokojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

I njohur si aleati më i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin në BE, Orbán ka refuzuar të lejojë transferimin e armëve perëndimore përtej kufirit të përbashkët të Hungarisë me Ukrainën. Ai ka bërë thirrje për bisedime paqeje por pa dhënë një vizion të qartë se çfarë do të thotë kjo për integritetin territorial të Ukrainës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share