Hungaria i thotë PO Suedisë në NATO

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i ka thënë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se qeveria e tij mbështet kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, që potencialisht është edhe pengesa e fundit pas muajsh negociatash të vështira.

“Rikonfirmova se qeveria e Hungarisë mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha Orban në X t’i ketë thënë Sekretarit Stoltenberg në një bisedë telefonike, raporton Klankosova.tv.

Orban tha t’i ketë thënë Stoltenbergut në këtë telefonatë se do të kërkojë nga Asambleja Kombëtare e Hungarisë të votojnë në favor të kërkesës së Suedisë për t’iu bashkuar bllokut në mundësinë e parë të mundshme.

Edhe shefi i NATO-s tha se e mirëpriti “mbështetjen e qartë” të Orbanit për kërkesën e Suedisë.

Hungaria ka qenë deri këtë javë një nga dy vendet që kundërshtonte pranimin e Suedisë në NATO.

Parlamenti turk votoi dje për të aprovuar kërkesën e Suedisë, duke i mundësuar kështu presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të nënshkruajë protokollin në ligj.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO majin e vitit 2022, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës atë vit. Finlanda iu bashkua NATO-s në prill 2023 – duke forcuar kështu kufirin e aleancës me Rusinë – por kërkesa e Suedisë u përball me sfida.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share