Rregullorja e re parashikon që gratë duhet të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit para se të abortojnë
Gratë hungareze që kërkojnë të abortojnë do të jenë të detyruara të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit përpara se të mund të hyjnë në procedurë, sipas një dekreti të ri të lëshuar nga qeveria e kryeministrit të ekstremit të djathtë, Viktor Orbán .
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi të enjten. Dekreti thotë se personeli shëndetësor duhet t’iu ofrojë grave shtatzëna një tregues të qartë e të identifikueshëm të shenjave vitale të fetusit.
Ministria e Brendshme e Hungarisë është shprehur se gati dy e tretave e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjet e para të zemrës dhe se pajisjet moderne mund të detektojnë rrahjet e zemrës në fillim të shtatzënisë, gjë që mund t’u japë informacion më të plotë grave shtatzëna.
Legjislacion i ngjashëm është futur në shumë shtete jugore të SHBA-së, si Teksasi dhe Kentaki, duke u kërkuar grave të dëgjojnë “rrahjet e zemrës së fetusit” përpara se të kenë akses në abort edhe pse mjekët thonë se përdorimi i termit “rrahje të zemrës së fetusit” është i pasaktë nga pikëpamja mjekësore .
Ligjet e abortit në Hungari janë relativisht liberale dhe kanë mbetur pothuajse të pandryshuara qëkur aborti u lejua më 1953. Qeveria nacionaliste hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, e portretizon veten si kampione të vlerave të familjes tradicionale dhe ka ofruar subvencione për familjet që kanë shumë fëmijë.
Sipas legjislacionit aktual, ndërprerjet mund të kryhen në 12 javët e para të shtatzënisë për arsye mjekësore ose sociale. Që kur Orbán erdhi në pushtet në vitin 2010, qeveria e tij ka prezantuar një sërë masash, që synon rritjen e nivelit të lindjeve.
Klan News