INCIDENTI TRAGJIK NJË NJË KANTIER NDËRTIMI
Shembja e një skele në një kantier ndërtimi në Hafencity të Hamburgut, Gjermani, i ka marrë jetën pesë shqiptarëve.
Aksidenti ndodhi në kantierin e ndërtimit të Überseequartier. Skela në katin e tetë me punëtorë ndërtimi në të u shemb duke rënë në një bosht ashensori të brendshëm.
Shërbimet e urgjencës që mbërritën fillimisht gjetën tre të vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerë rezultonin të zhdukur të cilët u gjetën pas kërkimeve intensive nga autoritetet mëngjesin e së martës. Një person tjetër mbeti i plagosur rëndë. Ai po trajtohet në spital dhe gjendja e tij sipas mediave gjermane është ende kritike.
Pas aksidentit hetimet për shkakun e aksidentit po vazhdojnë. Sipas informacioneve, është ende plotësisht e paqartë pse skela ka rënë në një bosht ashensori. Sipas mediave gjermane, skela mund të mos ishte vendosur siç duhet ndërsa mbi të ishin vendosur edhe 80 blloqe betoni, secila me peshë 20 kilogramë.
Rreth 1,400 njerëz punonin rregullisht në këtë kantier ndërsa në ditën e aksidentit të pranishëm në kantier ishin 700 punëtorë. Sipas policisë të pestë shqiptarët dyshohet se ishin me pasaportë bullgare false të cilët prej disa vitesh punonin në Gjermani. Identiteti i viktimave nuk behet i ditur. Pas aksidentit, ndërtesa është mbyllur deri në përfundimin e hetimeve. Ka pasur disa aksidente të rënda në kantieret e ndërtimit të Hafencity. Në 2 shtator të këtij viti, katër punëtorë u plagosën në një aksident të ngjashëm.