HUAMARRJA NGA HUNGARIA
Hungaria është “mik i vërtetë” i Maqedonisë së Veriut – deklaroi Kryeministri Mickoski, duke potencuar se Qeveria e Kryeministrit Viktor Orban me huanë prej 500 milion euro, ka dhënë ndihmë konkrete, sic tha, që të konsolidohet qeveria e re dhe për të bërë diçka për qytetarët.
Nga kjo shumë, 250 milion euro do të shkojnë për firmat, kurse pjesa tjetër për projekte të komunave.
“Unë jam falënderues për shkak se kur njeriu është në pozitë të vështirë duhet t`i sheh miqtë e vërtetë. Shpina më ka rënë nga lëvdatat se sa të mirë jemi, kurse fatkeqësisht askush nuk na ndihmon. Që ta ruajmë shpinën, u bëj ftesë miqve të vërtetë që të na ndihmojnë. Jo me përralla. Kjo është ndihmë e vërtetë”, tha Mickoski.
Por, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ish-Ministri për Financa, Xhevdet Hajredini, vlerëson se huamarrja e paralajmëruar nga Hungaria është e mirë, por vetëm nëse shteti nuk është në situatë të keqe financiare, ashtu sic është aktualisht. Hajredini dyshon se shteti ka kapacitete administrative që t`i menaxhojë huamarrjet, kurse vlerëson se bizneset dhe komunat nuk janë të gatshme me projekte për investime.
Ai shprehet i surprizuar nga shkalla e korigjuar e rritjes ekonomike nga 3.4 në 2.1%.
“Nuk duhet të jesh ekonomist që të dini se tashmë 30 vite Maqedonia nuk ka realizuar shkallë më të lartë të rritjes vjetore prej 2.1 apo 2.2%. Gjithë kohën me huamarrje të mëdha nga vende të jashtme për të mbuluar deficitin. Për shkak se nëse rritja e ekonomisë do të jetë 2.1% nuk do të ketë të ardhura në Buxhet, nuk do të ketë taksa dhe sërish do të kërkojmë huamarrje për të mbuluar obligimet që do të vijnë, të cilët me investime të këtilla nuk do të mund t`i mbulojmë”, tha Hajredini.
Huamarrjen nga Hungaria, Mickoski dhe Orbani e dakorduan gjatë Samitit të NATO-s në Uashington.
Sic njoftoi Qeveria më 11 korrik, kushtet e dakorduara janë që interesi i kredisë prej 500 milion euro të jetë 3.25% me tre vite grejs-periudhë dhe 12 vite afat për pagesën që gjithsejt do të jenë 15 vite.
Paraprakisht Mickoski kishte paralajmëruar huamarrje prej 1 miliardë euro, por sipas deklaratave të fundit, gjysma e dytë e kësaj shume do të merret vitin e ardhshëm.
Sipas mediave hungareze, kredia do të financohet nga Banka “Eksim” që është 100% pronë shtetërore.
Kredi të njëjtë ka marrë edhe Republika Sërpska gjatë një marrëveshje me Milorad Dodikun në vitin 2021.
Media ekonomike hungareze “Magjar Naranç” përmes një teksti kushtuar huamarrjes për Maqedoninë e Veriut ka potencuar se ka shumë pak informacione lidhur me këtë kredi.
Kanë shtruar edhe çështjen, se çfarë benefite do të ketë Hungaria, kur kredia i jepet një vendi nga ku vjen ish-Kryeministri i dënuar Nikola Gruevski, që ka fituar azilin pikërisht në Hungari./tvklan.mk/