Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Deklarata është bërë nga ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Megjithatë, ai ka qenë i qartë se kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm. Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë.
Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.
I pyetur nëse SHBA-ja ka informacione për planet e grupit të armatosur dhe nëse është përfshirë Beogradi zyrtar në sulme, në ndonjë mënyrë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është ende duke mësuar më shumë për rastin.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”.
Megjithatë, Hovenier e ka përsëritur se SHBA-ja beson se sulmi nuk ka qenë spontan dhe grupi ka qenë “i koordinuar”, i cili ka përdorur armë të sofistikuara të gradës ushtarake – një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë me origjine serbe – me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës. Hovenier tha se nuk ka dijeni për një tërheqje të ushtrisë serbe nga veriu. Sipas ambasadorit amerikan, në Kosovë, çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiç, se ai e ka organizuar sulmin.
Klan News