Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se rezultati më i rëndësishëm i negociatave të 18 marsit në Ohër është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane dhe planin e qartë drejt saj.
Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja është arritur pas disa orëve diskutime në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Hill, ka thënë se vendimi ka kërkuar “mençuri, integritet dhe kurajo”. “Ka ende shumë punë për të bërë, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap”, ka thënë Hill, përmes një postimi në Twitter.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka konsideruar të rëndësishme marrëveshjen e arritur në Ohër. Arritjen e pajtueshmërisë e ka përshëndetur edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Përmes një postimi në Twitter, NATO-ja ka bërë thirrje për zbatim të shpejtë dhe të plotë të asaj për të cilën palët janë marrë vesh. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që të pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë. I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”. “Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka thënë Vuçiç.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL