Hezbollahu lëshon raketa mbi bazat izraelite dhe një fabrikë të eksplozivëve

Grupi Hezbollah i Libanit thotë se kreu gjashtë sulme me raketa ndaj instalimeve ushtarake në Izraelin verior, duke përfshirë dy fusha ajrore dhe një fabrikë eksplozivi, si hakmarrje për luftën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Grupi libanez tha në Telegram se Aeroporti Ushtarak Megiddo në perëndim të qytetit Afula u godit tre herë me raketa Fadi 1 dhe Fadi 2, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kjo shënon herën e parë që fusha ajrore, e vendosur 30 kilometra (18.6 milje) nga kufiri libanez, u shënjestrua nga grupi.

Në një deklaratë tjetër, Hezbollah konfirmoi se baza ajrore Ramat David dhe baza Amos, një qendër kyçe logjistike për operacionet ushtarake izraelite në veri, u goditën me raketa Fadi 1 dhe Fadi 2.

Për më tepër, një fabrikë në qytetin Zichron Ya’acov në veri të Cezaresë, rreth 60 kilometra (37 milje) nga kufiri libanez, e cila prodhon eksplozivë u godit gjithashtu.

Këto lajme vijnë në kohën kur Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) ka shprehur shqetësim të madh për përshkallëzimin e dhunës në Izrael dhe Liban, veçanërisht pas raportimeve të sulmeve që ua morën jetën të paktën 24 fëmijë në Libanin jugor të hënën.

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, shprehu shqetësimin e saj të thellë në një deklaratë për përshkallëzimin e dhunës në Liban dhe Izrael.

“Jam thellësisht e alarmuar nga rritja e vazhdueshme e sulmeve në Liban dhe Izrael, të cilat më herët sot thuhet se kanë marrë jetën e të paktën 24 fëmijëve në Libanin jugor”, ka thënë ajo, duke theksuar se dhuna e intensifikuar përfaqëson një “përshkallëzim të rrezikshëm” për civilët në rajon.

Ndërkohë, përshkallëzimi midis Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit është pothuajse një luftë e plotë, tha shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

“Kjo situatë është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe shqetësuese. Mund të them se jemi pothuajse në një luftë të plotë”, u ka thënë gazetarëve Josep Borrell.

“Nëse kjo nuk është një situatë lufte, nuk e di se si do ta quani”, theksoi, duke përmendur numrin në rritje të viktimave civile dhe intensitetin e sulmeve ushtarake.

Borrell tha se përpjekjet për të ulur tensionet ishin në vazhdim, por frika më e keqe e Evropës për një përhapje lufte po bëhej realitet. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share