Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të kërkojë sot zyrtarisht krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për të hetuar qasjen selektive dhe të njëanshme të sistemit të drejtësisë së kontrolluar nga qeveria në trajtimin e tragjedisë në Koçan. Ndërsa qasje të njejtë kërkon edhe LSDM-ja opozitare.
BDI kërkon pjesë e komisionit të jetë edhe faktori ndërkombëtar.
BDI
Ky komision duhet të ngrihet menjëherë dhe të përfshijë përfaqësues të OSBE-së, si dhe përfaqësues nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në cilësinë e vëzhguesve me qëllim garantimin e një hetimi të drejtë, të pavarur dhe transparent. Mosveprimi ose instrumentalizimi politik i drejtësisë për qëllime të ngushta cenon jo vetëm të drejtat themelore të qytetarëve, por edhe stabilitetin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit, thonë nga BDI.
BDI mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.
Ndërkohë nga Lidhja Socialdemokrate pas seancës së mbrëmshme të Kryesisët Qendror thonë se hetimet po zhvillohen në mënyrë selektive dhe se në një moment të përshtatshëm do të kërkojnë të vërtetohen faktet, si dhe përgjegjësia politike për tragjedinë në Koçan, përmes një komisioni hetimor në Kuvend.
Partia opozitare, në atë kontekst, thekson se selektiviteti nuk është drejtësi, por një padrejtësi që thellon mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe drejtësisë.
Është e papranueshme, shtojnë ata, që hetimet të zhvillohen në mënyrë selektive, duke pasur parasysh seriozitetin e tragjedisë dhe pasojat e rënda me një numër të madh viktimash dhe të plagosurish.
LSDM
“LSDM insiston në një hetim jo selektiv, të pavarur dhe të plotë në të cilin të gjithë do të përgjigjen në përputhje me ligjin. LSDM do të kundërshtojë çdo selektivitet, mbrojtje të zyrtarëve aktualë, individëve të afërt me pushtetin. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”, thuhet në deklaratë.
Lidhur me këtë, LSDM thotë se do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe njofton se në një “moment të përshtatshëm” përmes komisionit hetimor në Kuvend do të kërkojnë të vërtetohen faktet, por edhe përgjegjësia politike për tragjedinë në Koçan.
Ndërsa Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të bëjë sot një kërkesë zyrtare për këtë çështje dhe pret që Kuvendi të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet maksimal për të siguruar një hetim të pavarur, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës.