Opinioni ende nuk ka informata konkrete dhe përgjigje nga institucionet kompetente se përse askush nga funksionarët aktual që kanë qenë në detyrë dhe funksion kur ndodhi tragjedia e tmerrshme nuk janë të përfshirë në hetimet.
Akuza vjen nga LSDM-ja nga ku shtrojnë pyetjen se deri ku janë hetimet dhe deri ku janë paralajmërimet për zgjerimin e hetimeve me funksionarë dhe zyrtar aktual.
LSDM
“Heshtja e institucioneve është shqetësuese. Hetimet duhet të përgjigjen se kush është përgjegjës për zjarrin që shpërtheu natën e kobshme që mori aq jetë njerëzish? Kush është përgjegjës për lëshimet në MPB, Byronë për Siguri Publike, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe DAP-it, pak para dhe gjatë ngjarjes? Përgjigje dhe përgjegjësi në vend të selektivitetit”
Ndërkohë derisa nga Qeveria shprehen të gatshëm për propozime që do të ndihmonin për zbardhjen e rastit të Koçanës, por se në adresë të tyre nuk ka mbërritur propozimi I LSDM-së për takim liderësh dhe derisa nga koalicioni VLEN potencojnë se kreu socialdemokrat Venko Filipçe, s`ka kredibilitet për të thirrë takim liderësh, një reagim vinë edhe nga Skender Rexhepi I Frontit Evropian.
Sipas tij, takimi i liderëve paraqet farsë për shpëtim të qeverisë.
“Takimi i liderëve është thjesht një farsë e orkestruar për të shpëtuar Qeverinë nga përgjegjësia politike për tragjedinë në Koçan. Një takim i tillë do të kishte kuptim vetëm nëse Qeveria do të jepte dorëheqje, dhe më pas liderët do të mblidheshin për të gjetur zgjidhje politike për vendin”– shkruan në Facebook, Skender Rexhepi.
Kreu I LSDM-së, Venko Filipçe, në mbrëmjen e donatorëve për tragjedinë në Koçanë, paralajmëroi se javën e ardhshme në Kuvend do t`i thërrasë për takim liderët e partive më të mëdha politike ku do t`ua prezantojë planin e tij, që sipas Filipçes, është obligim për ta bërë për vendin, pasi mënyrat konvencionale për udhëheqjen e luftës politike nuk japin rezultate të shpejta.