Heshtje rreth Iftarit të përbashkët Vlen – Kurti, Taravari kundër takimit të liderëve!

Iftari I përbashkët I krerëve të koalicionit VLEN me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kaloi pa pompozitet dhe pa u publikuar pamjet e kësaj darke dhe pa asnjë qëndrim zyrtar nga pjesëmarrësit.

Iftari I përbashkët me Kurtin ndodhi në kohën e “vlimeve” brenda koalicionit VLEN për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale të tetorit kurse nga njoftimet jozyrtare thuhej se Kurti do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për të “ulur gjakrat” në këtë koalicion.

Taravari nuk e ka mohuar se në iftarin e mbrëmshëm, krahas aktualitetit politik, është biseduar edhe për kombinatorikat për zgjedhjet lokale.

“Kemi diskutuar në përgjithësi, tashmë ka grupe punuese brenda VLEN-it të cilat diskutojnë për përpilimin e listave ose ndaras ose veç e veç, ose të përbashkëta dhe për kandidatura. Prioritet mbetet vazhdimi i funksionimit të koalicionit VLEN, megjithatë për këtë ende nuk ka një vendim definitiv” – ka deklaruar Taravari.

Arben Taravari duke komentuar propozimin e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, për takim liderësh lidhur me tragjedinë në Koçanë, ka deklaruar se kjo paraqet humbje kohe, pasi sipas tij, në vend që të ketë takime politike, fokusi duhet të jetë në zgjidhjen e problemeve që I kanë institucionet.

“Nuk e di cfarë do të bënim në takimin e liderëve kur institucionet punojnë pa lëshime. Ne jemi të interesuar t`i zgjidhim problemet që I kemi, e jo të humbim kohë me biseda të kota. Me rëndësi është të sigurohet se institucionet shëndetësore t`i mbështesin njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, por edhe të gjenden fajtorët për tragjeditë që ndodhin, për shkak se ky është incidenti i katër brenda pesë viteve” – deklaroi Taravari.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share