Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas largimit nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) të anëtarëve të pakicës serbe në veri të vendit.
Haradinaj ka thënë se kjo është në kundërshtim me normat demokratike dhe në dëm të vetë serbëve.
“Thirrjet e Listës Serbe që serbët e Kosovës ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë si dhe tërheqja e anëtarëve serbë nga komisionet komunale zgjedhore në veri, janë në kundërshtim me normat demokratike dhe në dëm edhe të vetë qytetarëve serbë. Ata duhet të jenë pjesë e proceseve që rrisin mirëqenien, sigurinë dhe përparimin e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se këto procese nuk duhet të lidhen me agjendat politike të Beogradit.
“Këto procese nuk duhet të lidhen me agjendat politike të Beogradit. Regjistrimi i popullsisë është interes i të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe qytetarët serbë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ndikohet nga agjendat politike. Politika e Beogradit, duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga instrumentalizimi i serbëve të Kosovës për agjenda politike”, është shprehur Haradinaj.