Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, në shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, ka thënë se Serbia ka synuar që mos ta lë askënd të gjallë. Duke folur para të pranishmëve, Haradinaj tha se Serbia është thyer në Gllogjan, raporton Ekonomia Online.
Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se në luftën e Kosovës, askush nuk është ndarë me zona por që kanë qenë të bashkuar.
Haradinaj tha se ndihmë të madhe fitores i dhanë edhe bombardimet e NATO-s, një vit më vonë.
“Ne e njohim këtë ditë si ditën e fitores. E vërtetë se ata kanë qenë luftëtar të hershem. Këta të tre atë ditë u flijuan me një betejë që mori kuptim, kuptimi i saj është fitorja”.
“Serbia kishte ndjek një strategji të vetën, kishte godit në Qirez e Prekaz. Ishte porosia që të mos leni askënd gjallë. Zoti deshi që ata të tërhiqen me turp e ne me fitore. Miti i Serbisë u thye këtu. Pse kjo ditë e jona është e fitores, sepse nuk ndamë askënd nga lufta”.
“Të gjithë janë trajtuar njëjtë, të gjithë luftëtarët e të gjitha trevave. Ajo çka na ndihmoi me fitu luftën ishte dita e njëjtë, por një vit më vonë. Atë ditë erdhën sulmet e NATO-s të prirë nga Amerika. Unë me zemër iu them Amerikës dhe NATO-s që çdo ditë keni qenë me ne. Ne si Kosovë do të rreshtohemi me NATO-n, Amerikën dhe besoj shumë që Kosova e ka vendin në NATO që të punojë për lirinë”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se 24 marsi është dita që e bën krenar tërë kombin shqiptar.
Ai ka kujtuar edhe dëshmorët e rënë në këtë ditë, Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.
“24 marsi është dita që e bën krenar tërë kombin shqiptar. Atë ditë kremtuam fitoren dhe triumfuan ndaj pushtuesit. Tash e 25 vite më parë, me skenarin e njëjtë, si të familjes Jashari, forcat serbe sulmuan familjen Haradinaj”.
“Nga kjo ditë nuk mbeti asnjë fshat pa iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me gjeneralin Ramush Haradinaj”.