Hapi i parë drejt aderimit në BE – nis skriningu

SHKUPI DHE SOFJA DEKLARATA NË BE PËR GJUHËN MAQEDONASE

Me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe nisjen e procesit të skriningut, RMV-ja dje pas 17 viteve pritje bëri hapin e parë drejt aderimit në BE. Në Bruksel dje është mbajtur edhe takimi ku është shënuar nisja e procesit të skriningut, raporton Klan M.

Skriningu do të përbëhet nga dy procese apo nën-faza. Një nga proceset është skriningu shpjegues ku Komisioni Evropian do të bëjë azhurnimin e të drejtës relevante të BE-së, për shkak se kanë kaluar shumë kohë nga mbajtja e takimeve të para sqaruese, kurse njëkohësisht do të vazhdojë procesi I skriningut dypalësh. Përmes këtij skriningu vendi duhet ta prezantojë shkallën e harmonizimit, ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurseve të nevojshme njerëzore, financiare dhe të IT-së për zbatimin e standardeve evropiane.

“Këto procese do të zbatohet gjatë një periudhe që do të zgjasë së paku një vit dhe konform Metodologjisë së re në nivel të klasterëve. Kalendari i zbatimit të skriningut do të definohet në bashkëpunim me KE-në” – thonë nga Qeveria e RMV-së.

Në Konferencën e Parë Ndërqeveritare u miratua Korniza Negociuese për anëtarësimin e vendit në BE, me cka nisi procesi i skriningut, pas përfundimit të së cilës dhe ndryshimit të Preambulës dhe të Amendamentit 12 të Kushtetutës, ku parashihet futja e bullgarëve në Kushtetutë, me automatizëm mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare, pas së cilës nis procesi i negociatave sipas klasterëve dhe kapitujve.

RMV-ja dhe Bullgaria dje kanë publikuar edhe deklaratat unilaterale për gjuhën. Derisa Bullgaria qartazi potencon se nuk e pranon gjuhën maqedonase, në dokumentin e RMV-së theksohet se vendi nuk do të negociojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase dhe se kjo gjuhë duhet të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së. Potencohet se gjuha letrare maqedonase është kodifikuar në vitin 1945.

RMV-ja ishte vendi I parë I rajonit të Ballkanit Perëndimor që më 09 Prill 2001 në Luksemburg nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, që hyri në fuqi në vitin 2004, kurse një vit më vonë mori statustin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share