Hapet pika kufitare në Rafah, Izraeli lejon të kalojnë vetëm 20 kamionë

OKB e ka cilësuar si një pikë në oqean teksa kriza thellohet në Gaza

Kamionët me ndihma humanitare kanë filluar të hyjnë në Rripin e Gazës nga Egjipti përmes pikës së kalimit Rafah.

Megjithatë nuk është e qartë se sa do të qëndrojë e hapur kjo pikë kalimi. Izraeli deri më tani ka rënë dakord të lejojë vetëm 20 kamionë në Gaza. Ambasada e SHBA-së në Izrael u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen drejt Egjiptit.

OKB ka bërë të ditur se karvani i ndihmave është një “pikë në oqean” e sasisë së kërkuar në Gaza, pasi kriza vijon të thellohet për shkak të rrethimit të plotë të Izraelit. Rreth 175 kamionë me ilaçe, ushqim dhe ujë janë bllokuar dhe ende presin të kalojnë. Kalimi  Rafah midis Gazës jugore dhe Egjiptit është i vetmi kalim përmes të cilit izraelitët kanë rënë dakord të lejojnë ndihmën në enklavën e rrethuar palestineze. Kalimet e tjera, në Erez dhe Kerem Shalom midis Gazës dhe Izraelit, janë mbyllur nga forcat izraelite.

Situata humanitare është e rëndë. Ushqimi dhe uji i pijshëm pritet të shterojnë, ndërsa objektet sanitare, puset e ujit, rezervuarët dhe stacionet e pompimit kanë pësuar dëmtime për shkak të sulmeve të pandërprera ajrore. Të paktën 4,137 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë qindra fëmijë, dhe 13,000 janë plagosur në Gaza.

“Nuk ka qetësi, fëmijët tmerrohen nga frika çdo minutë. Fëmijët tremben sepse ka sulme ajrore rreth nesh. Fëmijët tanë vuajnë shumë gjatë natës. Nuk ka as 1 përqind jetë të mirë, të shëndetshme e të sigurtë për një fëmijë. Nuk ka siguri nëse nuk vdesim nga lufta do vdesim nga epidemitë dhe sëmundjet”, tha një banore.

Izraeli vijoi bombardimet në të gjithë Gazën deri në orët e para të së shtunës, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të “luftojë deri në fitore”. Netanyahu sinjalizoi se ushtria e tij tha se avionët luftarakë kishin goditur një numër të madh objektivash terroriste të Hamasit në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë qendrat e komandës dhe pozicionet luftarake brenda ndërtesave shumëkatëshe. Tanket izraelite vazhdojnë të rreshtojnë kufirin me Gazën  ndërsa afrohet një pushtim tokësor.

Mediat palestineze thanë se avionët izraelitë kishin goditur gjashtë shtëpi në veri të Gazës, duke vrarë të paktën 19 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka deklaruar se tanimë është më e vështirë që të shpëtohet jetë njerëzish pasi janë përtej kapacitetit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share