Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe Hamasi lëshuan deklarata duke akuzuar njëra-tjetrën për pengimin e kalimit të sigurt të civilëve në Gaza.
IDF-ja pretendoi se pasi lajmëroi një periudhë tre-orëshe në të cilën banorët e rripit verior të Gazës mund të evakuonin zonën dhe të udhëtonin në jug përmes një rruge të sigurt, luftëtarët e Hamasit qëlluan me mortaja dhe raketa antitank ndaj trupave të IDF që operonin në atë zhteg. Nuk u raportua asnjë lëndim.
“Ky incident vërteton më tej se Hamasi shfrytëzon popullsinë e Gazës dhe i pengon ata të veprojnë në interes të sigurisë së tyre”, tha IDF.
Ndërkohë Hamasi tha se një autokolonë me ambulanca u bombardua nga IDF-ja dje teksa po transportonte civilë të plagosur në jug në vendkalimin Rafah. Hamasi tha se karvani u organizua në partneritet me Kryqin e Kuq dhe Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë, raporton NBC News, transmeton Klankosova.tv.
“Marrëveshja ishte dalja e të huajve dhe të plagosurve. Kjo marrëveshje ishte shkelur dhe prishur duke synuar autoambulancat që transportonin të plagosurit dhe duke mos i lejuar ata të transportonin të plagosurit nga veriu në vendkalimin Rafah”, thuhet në deklaratën e Hamasit.
Izraeli e pranoi se kishte bombarduar një ambulancë të premten, por tha se automjeti po përdorej nga një “celulë terroriste” e Hamasit.