Evropa po përballet me një “krizë të madhe të shëndetit publik”, sepse pothuajse të gjithë evropianët jetojnë në zona me nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit, sipas një studimi të britanikut “Guardian”.
Analiza e të dhënave, të mbledhura me metodologjinë më moderne, tregoi se 98 për qind e njerëzve në Evropë jetojnë në zona të ndotura me grimca të imta shumë të dëmshme dhe shumë mbi kufirin e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Pothuajse dy të tretat e evropianëve siç njofton Klan M, jetojnë në zona ku ndotja e ajrit është më shumë se dyfishi i kufirit të lejuar, transmeton Hina.
Vendi evropian më i goditur është Maqedonia e Veriut, e ndjekur nga Serbia.
Në të dy vendet, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në zona ku ndotja e ajrit është katër herë më e lartë se sa rekomandohet.
Serbia është një nga shtatë vendet në Evropën Lindore, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Shqipërinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, ku pothuajse të gjithë banorët jetojnë në zona me të paktën dyfishin e nivelit të ndotjes.
Situata në Evropën Lindore është shumë më e vështirë se në Evropën Perëndimore.
Përjashtim bën Italia, ku më shumë se një e treta e popullsisë në Luginën Po dhe zonat përreth thith ajër që është katër herë më i ndotur se sa rekomandohet.
Hulumtimi i Guardian, përcjellë Klan M, ka të bëjë me grimcat e imëta PM2.5, të cilat prodhohen kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, dhe mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut dhe të prekin pothuajse çdo organ në trup.
Sipas udhëzimeve të OBSH-së, përqendrimi mesatar vjetor i grimcave PM2.5 nuk duhet të kalojë pesë mikrogramë për metër katror.
Hulumtimi tregoi se vetëm dy përqind e popullsisë evropiane jeton në zona me një përqendrim të lejuar të këtyre grimcave.
Ekspertët paralajmërojnë se ndotja e ajrit me grimcat PM2.5 shkakton rreth 400 mijë vdekje në vit në Evropë.
Në Suedi nuk ka asnjë zonë ku përqendrimi i grimcave PM2.5 është më shumë se dyfishi i kufirit të OBSH-së, ndërsa disa rajone në veri të Skocisë janë ndër të paktat në Evropë ku ndotja është brenda kufijve të lejuar, raporton Al Jazeera. /KlanMacedonia/