Grushte, shqelma e karrige në duar, sheshi i famshëm i San Marcos në Venecia u kthye në arenën e një përleshjeje të pabesueshme mes kamerierëve të një kafeneje atje me një grup turistësh.
Një mosmarrëveshje mes një pjesëtari të stafit dhe vizitorëve kaloi nga sulmet verbale në dhunë fizike e nuk vonoi shumë që situate të dilte jashtë kontrollit.
Sherri në lokalin historik Caffè Chioggia, ndër më të njohurit e zonës, duket se nisi për shkak se klientët kishin dashur të largoheshin pa paguar, sipas disa mediave vendase.
Ndërkohë e përditshmja La Nuova Venezia, ka një tjetër variant për origjinën e sherrit. Sipas saj, përplasja nisi pasi një kamerier nuk pranoi të lejonte grupin e turistëve që të përdornin tualetin, pa konsumuar diçka në bar. Sipas New York Post, videoja u filmua nga një dëshmitar okular anglisht-folës, i cili mund të dëgjohet duke bërtitur “Çfarë po ndodh?”.
Në përleshje duket të jenë përfshirë të paktën shtatë kamerierë dhe katër turistë. Pamjet janë bërë menjëherë virale në rrjet, ndërsa komentet ishin të përziera. Disa ankoheshin duke thënë se qyteti më i bukur i botës ka mbërritur në pikë të hallit, ndërsa tjerë e justifikonin situatën me natyrën njerëzore, duke thënë se varet nga karakteri i gjithsecilit e nuk është çudi që edhe të ndodhin gjëra të tilla.