Grumbulli i rërës në Dubai shitet për 34 milionë Dollarë

Çfarë do të blinit me 34 milionë Dollarë?

Në vende të ndryshme të botës, me to mund të blesh kështjella të larta, rezidenca gjigande përbri bregut të detit apo prona madhështore që shtrihen për hektarë të tërë. Mund të blesh makina luksoze ose një avion privat.

Nuk është grumbull rëre i zakonshëm. Rëra në fjalë është një hapësirë boshe në Jumeirah Bay Island, e cila u shit për 34 milionë Dollarë, një çmim rekord edhe për një vend të tillë si Dubai ku shifrat e pronave mund të shkojnë në stratosferë.

Hapësira prej 2276 metra katrorë ishte blerë në vitin 2021 për më pak se 10 milionë Dollarë nga Umar Kamani, një sipërmarrës britanik që ia shiti një personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ajo është një prej 128 hapësirave që u caktuan për t’u shitur në këtë ishull artificial, i cili lidhet me tokën nëpërmjet një ure 300 metra të gjatë.

Ishulli ka trajtën e kalit të detit dhe konsiderohet si më ekskluzivi i llojit të tij. Në të ndodhet një hotel luksoz që është ndërtuar në bashkëpunim me Bvlgari dhe njihet si më luksozi në botë. Jumeirah Bay është ‘shtëpia’ e plazheve me rërë dhe një marine për dhjetëra jahte, restoranteve të shtrenjta, një qendre spa dhe palestre. Gjithashtu në kompleksin Bvlgari ka një numër të kufizuar apartamentesh./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share