Grubi: Institucionet të jenë shembull për kursim të energjisë

KRIZA ENERGJETIKE: LSDM DHE VMRO ME AKUZA TË NDËRSJELLA

Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, deklaroi se institucionet duhet të jenë shembull për kursimin e rrymës elektrike dhe të gjitha resurseve shtetërore. Ai ka siguruar se institucionet e Qeverisë, në kushte të krizës ekonomiko-energjetike, bëjnë përpjekje maksimale për të kursyer.

“Ju bëj thirrje t’i kontrolloni çdo ditë të gjitha institucionet, duke filluar nga Qeveria, Kuvendi, ministritë tona, për atë se cilat masa të kursimit i zbatojnë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe para vendimit të Qeverisë. Për shembull Ministria e Sistemit Politik ka fikur gjithë ndriçimin e jashtëm dhe të brendshëm jashtë orarit të punës. E njëjta vlen edhe për masat tjera për kursim të energjisë elektrike”, deklaroi zv/kryeministri i parë Artan Grubi.

Kriza energjetike ka qenë arsyeja që ka nxitur përplasjen e radhës mes dy partive më të mëdha maqedonase. Socialdemokratët thonë se nga Qeveria janë siguruar 50 milionë euro për prodhimin e rrymës, kurse 80% të llogarive të rrymës për qytetarët I mbulon Qeveria.

“Me vendimin e fundit janë siguruar 50 milionë euro tjera për EMV-në që të rrisë prodhimin. Me Ribalancin rezervuam 76 milionë euro për masa të reja të ndihmave. Në fuqi janë edhe masat e kursimit të energjisë. Përmes nismës “Ballkani i Hapur” zhvillohet edhe bashkëpunimi rajonal në pjesën e energjetikës dhe ndihmës së ndërsjelltë mes tri vendeve për t`u përballur me krizën”, deklaroi deputetja e LSDM-së Daniela Nikolova.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon me akuzat, sic thonë, për keqmenaxhime dhe keqpërdorime të pushtetit në kushte të krizës ekonomike. Përmes një postimi në Facebook, lideri partiak, Hristijan Mickoski, drejton akuza për keqpërdorime gjatë shitjes së tepricës së rrymës elektrike.

“Maqedonia, qytetarët dhe ELEM/EMV për vetëm 25 orë janë dëmtuar për rreth 10 milionë denarë dhe në vend që tepricat t’i ofrohen ekonomisë e cila paguan rrymë sipas HUPX dhe lufton për mbijetesë dhe të mbajë punëtorët, paratë vidhen dhe përfundojnë në xhepa privat”, deklaroi kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Kujtojmë se, nga një shtatori kanë hyrë në fuqi masat për kursim të energjisë elektrike për amvisëritë dhe kompanitë si rekomandime, si dhe për ndërmarrjet publike si detyrime. Si pjesë e këtyre masave, temperaturat e kondicionerëve në objektet publike në sezonin e ftohjes duhet të jenë jo më të ulëta se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më të larta se 20 gradë, të fiken të gjitha dritat dhe kompjuterët pas orarit të punës./KLanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share