“Grevë e përgjithshme”, aksioni i ri protestues në Serbi!

Në Serbi, një ditë pasi u mbajt greva e përgjithshme, e dyta me radhë, kanë vazhduar marshet protetuese nëpër shumë qytete. Në rrugë kanë dalë qytetarë të Beogradit, Novi Sadit, Nishit e qyteteve tjera, kurse studentët nga Subotica janë nisur në këmbë drejt Beogradit, ku më 15 mars duhet të mbahet tubimi i madh I protestës.

Protestë para ndërtesës së televizionit publik – RTS në Beograd me moton “Heshtja jehon”, “Beçeji po zgjohet” protestë masovike e nxënësve të shkollave të mesme, punonjësit e arsimit nga Nishi duan të kthehet dinjiteti i mësimdhënësve, grupacione të ndryshme në protestën e Novi Sadit.

Kjo ishte atmosfera gjatë ditës së djeshme në Serbi e cila vazhdon të mbetet e paralizuar nga protestat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad që mori 15 viktima.

Por, sic thonë, mediat e pavarura serbe, pushteti ka organizuar protestë të studentëve që duan të ndërpriten bllokimet e Universiteteve. Ata janë stacionuar në Parkun e Pionerëve në Beograd dhe kërkojnë nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentarja që sa më shpejt të mundësohet nisja e vitit shkollor.

Nga ana tjetër, mbrëmë në Beograd është sulmuar Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Sipas tij, një person I panjohur e kishte goditur pas shpine.

Lidhur me këto zhvillime, gjatë një adresimi të jashtëzakonshëm, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se më 15 mars priten trazira duke u zotuar se “Revolucioni laraman” nuk do të kalojë.

ALEKSANDAR VUÇIQ – PRESIDENT I SERBISË

“E dijmë se planifikohen trazira më 15 mars. Janë të nervozuar për shkak se e dijnë se “Revolucioni laraman” nuk do të kalojë. Kanë vetëm një zgjidhje – krimin. Zgjidhje tjera nuk kanë dhe kriminelët nuk do të fitojnë”

Aksioni protestues “Greva e Përgjithshme” u mbajt dje gjithandej Serbisë. Studentët bënë thirrje që brenda një dite të ndalet puna, kurse aksioni përfshinte edhe bojkotin e shitoreve, objekteve hotelerike, transportin publik e të ngjashme.

Protesta janë organizuar në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Uzhice, Valjevë, Suboticë dhe Sombor.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share