Greqia miraton projektligjin për universitetet private

Studentët u përleshën me policinë, 16 prej tyre përfshirë edhe oficerë sigurie u plagosën

Parlamenti grek miratoi projekt-ligjin që do t’i lejojë universitetet e huaja private të krijojnë degë në vend. Ky vendim ka nxitur protesta nga studentët që thonë se masa do të zhvlerësojë diplomat nga universitetet publike.

Legjislacioni u miratua nga 159 ligjvënës në parlamentin prej 300 vendesh. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se do të ndihmojë në kthimin e mijëra studentëve grekë në universitetet jashtë vendit, teksa vendi po rimëkëmbet nga një krizë financiare dhjetëvjeçare.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas Mitsotakis projektligji do të ndihmojë gjithashtu përafrimin e Greqisë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian dhe rritjen e konkurrencës në arsimin e lartë. Studentët u përleshën me policinë, ku 7 oficerë dhe 9 studentë mbetën të plagosur.

Përplasjet shpërthyen pasi shoqatat studentore nga e gjithë Greqia u mblodhën në Propylaea të Universitetit të Athinës në qendër të qytetit dhe marshuan drejt Parlamentit. Mbi 17 mijë njerëz morën pjesë në demonstratë. Slogani kryesor ishte “Jo universiteteve private. Diplomat me vlerë. Arsim falas.”

Një grup protestuesish hodhën tymuese ​​ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës. “Ne kemi frikë se nëse arrijmë të diplomohemi, nuk do të mund të gjejmë kurrë një punë askund,” u shprehën studentët.

Trazirat u përhapën edhe në sheshin Sintagma pasi një grup sulmuesish me kapuç sulmuan forcat e policisë me molotov dhe gurë.

Edhe pse një pjesë e arsimit të lartë privat është tashmë i ligjshëm në Greqi, ligji i ri do t’i bënte diploma nga institucionet private të barazvlefshme me universitetet publike. Universitetet jashtë shtetit do të lejohen të hapin degë në Greqi duke përdorur një status jofitimprurës, pavarësisht tarifave të shkollimit.

Më shumë se 650,000 studentë janë aktualisht të regjistruar në universitetet shtetërore në Greqi dhe 40,000 të tjerë janë duke studiuar jashtë vendit, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Greqia shpenzon 3%-4% të prodhimit të saj vjetor ekonomik për arsimin, nën mesataren e BE-së.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share