Prindërit me origjinë shqiptare, që u akuzuan se kishin lënë në makinë në temperatura të larta djalin e tyre autik, i cili ndërroi jetë, janë liruar nga Gjykata e Halkidës në Greqi.
Në seancën e zhvilluar, Gjykata vendosi për ta masën e sigurisë detyrim paraqitje një herë në muaj, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Dy prindërit thanë se janë të shkatërruar nga ngjarja tragjike, ndërsa theksuan se 23-vjeçarit i pëlqente të kalonte kohë në makinë dhe i kishte gjithmonë dritaret të hapura, ndërsa i çonin ujë dhe ushqim.
Sipas burimeve temperatura ka qenë shumë e lartë, dhe 23-vjeçari ka qëndruar brenda makinës për të paktën tre orë. Sapo kanë zbritur, prindërit e tij kanë hapur makinën dhe e kanë çuar fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Aliverit dhe më pas në Spitalin e Halkidës, ku u konfirmua vdekja e tij, e cila mund të ketë ardhur si pasojë e goditjes nga të nxehtit.