Grafa etnike në certifikata mbetet pezull – Gjykata Kushtetuese nuk solli vendim

Gjyqtarët kushtetues nuk kanë vendosur nëse rubrika e kombësisë në certifikatat e lindjes është jokushtetuese. Propozimi për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, të cilit i është referuar Lloga kur miratoi udhëzimin, nuk ka marrë shumicën e kërkuar të votave, me çka çështja mbetet e hapur, përcjell KlanM.

“Gjyqtari raportues propozoi që për këtë rast të inicohet procedurë, përkatësisht të vlerësohet kushtetutshmëria e tre neneve që përfshijnë të dhëna për shtetësinë nga regjistrat e të martuarve, të lindurve dhe të vdekurve, por nuk ka marrë shumicën e kërkuar, që do të thotë se lënda mbetet e hapur edhe më tutje”, tha Hristina Belovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtarët kushtetues kishin qëndrime të kundërta rreth kësaj çështjeje. Gjyqtari Darko Kostadinovski konsideron se deklarimi i nacionalitetit nuk mund të jetë i detyrueshëm për qytetarët, sepse është ndjenjë personale dhe nuk ka asnjë mënyrë apo mekanizëm për ta vërtetuar atë.

“Përkatësia etnike është në grupin e të dhënave sensitive. Janë të dhëna empirikisht të paverifikueshme dhe Republika e Maqedonisë me aderimin në Konventat duhet t’i respektojë, dhe kjo është edhe obligim i Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Darko Kostadinovski, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Kundër tij ishte gjyqtari Osman Kadriu, i cili tha se qytetarët kanë të drejtë të deklarojnë kombësinë e tyre dhe liria e shprehjes së kombësisë është vlerë themelore në vend.

“Për mendimin tim ligjvënësi vepron në përputhje me atë që e kërkon Kushtetuta dhe Kushtetuta kërkon që ligji të mundësojë të drejtën e qytetarit për të deklaruar shtetësinë e tij, dhe nëse ajo e drejtë pezullohet, e cila është e paraparë me ligj në një mënyrë dhe procedurë, atëherë ajo e drejtë do të mbetet vetëm një parim bosh”, ka thënë Osman Kadriu.

Në të njëjtin mendim ishin edhe gjyqtarët Naser Aidari dhe Fatmir Skender, ndërsa kryetarja Kacarska ishte e vendosur se deklarimi i kombësisë nuk duhet të jetë i detyrueshëm për qytetarët.

Ndërkaq nga ana tjetër, ministri Krenar Lloga që kërkoi të hidhen poshtë pretendimet e Levicës, paralajmëroi udhlzime të reja, duke u shprehur i bindur se përkatësia etnike do të jetë në certifikata./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share