Bileta për në kualifikueset e Kupave të Europës nuk ka mjaftuar për konfirmimin në stol të Goce Sedloski te Vllaznia. Shkodranët nuk janë bindur aspak nga mënyra e punës së treguar nga trajneri maqedonas, duke sjellë shkarkimin e 49-vjeçarit. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të klubit, thuhet se kontrata me Sedloskin ka përfunduar, për të mos tentuar ndoshta zgjatjen e një marrëveshjeje.
Ish-trajneri i Shkupit mori drejtimin e skuadrës në muajin prill dhe në 11 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës ka shënuar 3 fitore, 4 barazime dhe po kaq humbje. Një ecuri jo shumë e mirë për të në eksperiencën e parë si trajner në Shqipëri, ku ka një mesatare prej 1.1 pikë për ndeshje. Sedloski bëhet trajneri i tretë që largohet nga stoli i shkodranëve në këtë sezon, pas Mirel Josës dhe Elvis Plorit.
Fitorja ndaj Bylisit 2-1 në javën e fundit i siguroi Vllaznisë kalimin në kualifikueset e Conference League, por tashmë duhet të mendojë për të gjetur një trajner të ri. Orët e fundit ka zëra që në stolin e kuqeblutë të rikthehet Thomas Brdariç, me kroato-gjermanin që ka lënë shije të mirë në eksperiencën e mëparshme në Shkodër, ku arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë.
Këmbëngulja e drejtorit të ri sportiv, Elvis Plori, i cili gjatë kohës së Brdaric në Shkodër ishte ndihmës i tij mund të sjellë ribashkimin mes palëve. Koha nuk është ndoshta në favorin e Vllaznisë, pasi duhet që shumë shpejt të gjej trajnerin e ri për të nisur më pas përgatitjet për kualifikueset në Kupat e Europës.
Klan News