Gjyshja e adoleshentit të vrarë në Francë bën thirrje për qetësi

Gjyshja e adoleshentit të vrarë nga policia u bëri thirrje të dielën protestuesve të ndalin aktet e dhunës, ndërsa në qytetet franceze vazhduan për të gjashtën natë me radhë trazirat. Autoritetet shprehën zemërim për sulmin ndaj banesës së një kryebashkiaku, ku protestuesit i vunë flakën një automjeti.

Nga sulmi mbetën të lënduar familjarë të zyrtarit.

“Po u bëj thirrje atyre (protestuesve) që të ndalojnë. Naheli ka vdekur. Vajza ime është e shkatërruar, tani ajo nuk ka më jetë”, tha gjyshja e 17-vjeçarit që vdiq pasi u qëllua nga një punonjës policie.

“Mos thyeni dritare, mos shkatërroni autobusë dhe shkolla. Duam që gjërat të qetësohen”, tha ajo.

Ajo tha se ishte e zemëruar me punonjësin e policisë që i vrau nipin, por jo me të gjithë strukturat policore dhe shprehu besim tek sistemi i drejtësisë, ndërsa Franca përballet me demostratat më të dhunshme ndër vite.

Nipi i saj, u varros të shtunën.

E pytur mbi fushatën për mbledhjen e të ardhurave në ndihmë të punonjësit të policisë që qëlloi ndaj nipit të saj, që deri tani ka arritur vlerën e 731 mijë dollarëve, Nadia tha “Më dhemb zemra”.

Ndaj punonjësit të policisë është ngritur akuza për vrasje me dashje./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share