Gjykata Penale për ndërhyrjen në M-NAV: Rasti duhet të hetohet në mënyrë plotësuese

Gjykata Penale: PTHP-ja nuk dha prova të mjaftueshme për ndërhyrjen në M-NAV!

Gjykata Penale Shkup sot ka dalë me një komunikatë, për të elaboruar se pse refuzoi propozimin e Prokurorisë Publike që personave të dyshuar për sulmin në M-NAV t’u caktohet masa e paraburgimit, pasi dyshohen për rrezikim të trafikut ajror. Në vend të kësaj, gjykata u caktoi vetëm masa kujdesi , ndërsa sot sqaroi se sipas provave të dorëzuara nga prokuroria, nuk rezulton se të dyshuarit i kanë plotësuar krejtësisht kushtet e parapara në vepër penale.

Prokuroria publike nuk ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme që të dyshuarve për sulmin në M-NAV t’u caktohet masa e paraburgimit, kështu e kanë sqaruar sot nga Gjykata Penale vendimin e tyre që të dyshuarve t’u caktohet masa kujdesi e jo paraburgim. Sipas sqarimit të Gjykatës Penale nuk ka elemente të mjaftueshme për kualifikimin e veprës, ashtu siç e ka kualifikuar prokuroria.

“Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup nuk është paraqitur asnjë provë – dokumentacion mjekësor për lëndimet e pretenduara të shkaktuara, nuk ka të dhëna për pranimin e kallëzimit penal nga i dëmtuari. Ai nuk është dëgjuar në Prokurorinë Publike të Shkupit, as nuk janë dorëzuar prova nëse vërtet ka ndodhur lëndim i rëndë dhe për çfarë lëndimi bëhet fjalë. Për më tepër, mënyra se si veprimet e ndërmarra kanë shkaktuar ose mund të kenë shkaktuar shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve, objekteve ose një avioni, i cili nuk është në trafik dhe ndodhet në një aeroport për trafik ajror ndërkombëtar, nuk është specifikuar”, thonë nga Gjykata Penale.

Nga gjykata gjithashtu kanë shtuar se, sipas inspektimit të jashtëzakonshëm të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC), është konstatuar se nuk ka shkelje apo kërcënim për sigurinë e trafikut ajror, si dhe nuk raportohet për ngjarje apo incident të rëndë lidhur me zhvillimin e sigurisë së komunikacionit ajror.

“Mirëpo, sipas provave të dorëzuara, rezulton se në rastin konkret, të dyshuarit kanë ndërmarrë veprime të caktuara që duhet të hetohen më tej, por jo në kuadër të veprës së caktuar, për të cilën sipas Prokurorisë Publike ka një dyshim të bazuar. Për këtë arsye, për sqarimin dhe konstatimin e të gjitha fakteve juridikisht relevante në ngjarjen konkrete të ndodhur më 01.04.2024, gjyqtari i procedurës paraprake ka përcaktuar masat për të siguruar praninë e një lloji më të butë”, thuhet në deklaratën e Gjykatës Penale.

Në incidentin e ndodhur më 4 janar, Bekim Neziri, punonjës i institucionit dhe disa persona të tjerë hynë në objektin e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe sulmuan të punësuarit, pas konferencës për media të sindikatës M-NAV, në të cilën njoftuan se nuk do të pranonin të punësuar partiakë.

Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve, Qeveria miratoi vendim që në seancën e ardhshme qeveritare, të propozojë shkarkimin e gjithë bordit drejtues në M-NAV, dhe të propozojë zgjedhjen e një bordi të ri drejtues. Po ashtu edhe Polici Financiare paralajmëroi hyrjen në M-NAV, ku inspektorët financiarë do të shqyrtojnë të gjithë operacionin financiar, punën e të gjithë menaxhmentit, prokurimit publik, funksionimit të sindikatës si dhe punësimeve të fundit në institucion./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share