Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup mbrëmë vonë ua ka caktuar masën e kujdesit katër personave të dyshuar për rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror, lidhur me sulmin në M-NAV dhe jo paraburgim, siç kërkoi Prokuroria Publike. Në mesin e këtyre personave është edhe Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar aktual i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i BDI-së në Çair. Prokurori kompetent paralajmëroi ankimim të rastit.
Gjykata Penale në Shkup nuk ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike për personat e dyshuar për sulmin në M-NAV. Megjithëse Prokuroria Themelore Publike kishte kërkuar masë paraburgimi për të katër të dyshuarit, gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar masë më të lehtë kujdesi. Ai mbrëmë vonë ua ka caktuar masën e kujdesit katër personave të dyshuar për rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror. Në mesin e këtyre personave është edhe Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar aktual i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair.
“Gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të prokurorit publik për përcaktimin e masës së paraburgimit kundër katër personave të cilat mbrëmë u sollën në gjykatës, të dyshuar për veprën penale rrezikim i sigurisë së trafikut ajror nga neni 303 paragrafi 2 në lidhje me nenin 22 nga Kodi Penal, pasi ka dëgjuar prokurorin dhe të dyshuarit në lidhje me propozimin, solli vendim me të cilin të gjithë katër personave u caktohen masa kujdesi”, thonë nga Gjykata Penale në Shkup.
Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, katër të dyshuarve u ndalohet të udhëtojnë jashtë shtetit duke ua marrë dokumentet e udhëtimit dhe duhet të paraqiten në orare të caktuara tek personi zyrtar përkatës.
Megjithatë, Prokuroria Themelore Publike nuk është e kënaqur me këtë vendim të gjykatës. Nga kjo prokurori konfirmuan për Klan M se, prokurori publik do ta ankimojë këtë vendim.
“Prokurori publik gjatë ditës së sotme do të paraqesë ankesë kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, me të cilin u refuzua propozimi për caktimin e masës së paraburgimit për katër të dyshuar për veprën penale – Rrezikimi i sigurisë së trafikut ajror dhe ndaj tyre u caktua masa kujdesi”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike
Prokurori kompetent, e arsyetonte kërkesën për paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit tek dëshmitarët dhe hetimet, si dhe për ekzistimin e shkaqeve të dyshimit për arratisje./KlanMacedonia