Gjykata në SHBA shpall fajtor Donald Trump: Abuzoi seksualisht shkrimtaren në ’96

Donald Trump abuzoi seksualisht dhe shpifi ndaj shkrimtares E Jean Carroll. Është ky konkluzioni i gjykatës së New York, që gjykoi çështjen civile ndaj ish-presidentit amerikan.

Megjithatë, sipas asaj që raportojnë mediat amerikane, gjykata rrëzoi akuzën e përdhunimit të pretenduar nga shkrimtarja, ngjarje që ajo deklaronte se kishte ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996.

Juria e dëmshpërbleu E Jean Carroll me rreth 5 milion dollarë, për akuzat e sulmit dhe shpifjeve.

Carroll e paditi Trump-in me pretendimin se sjellja e tij kualifikohej si vepër seksuale sepse ishte përdhunim, abuzim seksual ose prekje me forcë. Ndërsa juria tha se ajo nuk mundi ta provonte se ishte përdhunuar, por tha se shkrimtarja vërtetoi se Trump kishte kryer abuzim seksual.

Vetë Trump nuk dëshmoi në gjykatë, por juria e përbërë nga 6 burra dhe 3 gra u njoh me një video ku ai mohonte përdhunimin.

Vendimi i jurisë vjen në një kohë kur ish-Presidenti po zhvillon fushatën për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share