Gjykata në Moskë zgjat paraburgimin e gazetarit të burgosur amerikan

Kjo është hera e tretë që gazetarit të “The Wall Street Journal” i zgjatet paraburgimi

Një gjykatë në Moskë ka zgjatur paraburgimin me dy muaj për gazetarin e burgosur amerikan, Evan Gershkovich.

Ai do të vazhdojë të qëndrojë i izoluar deri më 30 Janar. Gazetari i së përditshmes amerikane “The Wall Street Journal” u arresta në fund të muajit Mars ndërsa po raportonte nga qyteti rus Jekaterinburg. Kjo është hera e tretë që gazetarit amerikan i zgjatet paraburgimi.

Moska zyrtare e akuzon atë për spiunazh, akuza këto që ai dhe qeveria amerikane i mohojnë plotësisht ndërsa Wall Street Journal e ka cilësuar arrestimin e tij si “një sulm ndaj shtypit të lirë” .

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se arrestimi i Gershkovich është i jashtëligjshëm. Nëse shpallet fajtor për akuzat për spiunazh, Gershkovich përballet me një dënim deri me 20 vjet burgim.

Gershkovich është gazetari i parë amerikan që është arrestuar nga Rusia nën akuza për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë.

Arrestimi i tij në qytetin e Jekaterinburgut tronditi gazetarët që punojnë në Rusi ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje se mbi çfarë provash i kanë mbështetur akuzat për spiunazh.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share