ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Gjykata Administrative mbrëmë, i ka refuzuar si të pabaza të shtatë paditë e koalicionit Fronti Evropian, kundër vendimit të KSHZ-së për rivotime në zgjedhjet parlamentare në 7 vendvotime.
Paraprakisht, KSHZ-ja kishte miratuar vendimin për rivotime në 6 vendvotime në Njësinë e 5-të Zgjedhore dhe një në Njësinë e 6-të.
Me rivotimin në këto vendvotime cënohen dy mandate deputetësh për Frontin Evropian.
Kryeministri Talat Xhaferi, më 16 maj drejtoi akuza se ka patur marrëveshje për mbivotim në KSHZ për të pranuar ankesa të caktuara për rezultatet zgjedhore dhe se në këtë mënyrë po bëhen tentativa për “inxhinjering zgjedhor” për të ndryshuar shifrat në Kuvend dhe shkeljen e vullnetit të qytetarëve.
Këtë vendim të gjykatës e ka përshëndetur koalicioni VLEN.
“E përshëndesim vendimin e Gjykatës Administrative, e cila është në një vijë me vullnetin të cilin qytetarët e shprehën më 8 maj. Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie” – thonë nga VLEN.
Sipas Kodit Zgjedhor, nëse vendimi për rivotim në një vendvotim mund të ndikojë në rezultatet përfundimtare, KSHZ-ja duhet të organizojë sërish votime 14 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve – respektivisht më 22 maj.
Ndryshe, në Njësinë e 6-të Zgjedhore, Fronti Evropian fitoi 9 deputetë, ndërsa VLEN – 7.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate, Fronti Evropian – 19, LSDM-ja – 18, koalicioni VLEN – 13 dhe nga 6 deputetë fituan Lëvizja “Znam” dhe “Levica”. /tvklan.mk/