BDI sërish I bën thirrje Kryeparlamentarit Afrim Gashi, sic thonë, të reflektojë dhe të dorëhiqet.
Integristët thonë se pas aktit të Gashit që tronditi delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, duke refuzuar të flasë në gjuhën shqipe, edhe një tjetër incident, sipas BDI-së, konfirmon qasjen e tij të qëllimshme për të shpërfillur gjuhën shqipe!
“Një ambasador i huaj në Shkup, në përpjekje për të respektuar origjinën shqiptare të Kryetarit të Kuvendit, kishte mësuar shqipen me ditë të tëra dhe i foli Gashit në gjuhën amtare shqipe, për të impresionuar atë. Përgjigjja e Afrim Gashit? Një refuzim i hapur, duke iu përgjigjur vetëm në maqedonisht! Ky qëndrim nuk është rastësi, por dëshmi e një mentaliteti vetëmohimi dhe përçmimi ndaj gjuhës shqipe” – thonë nga BDI.
Ndryshe për rastin me Deelegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, kanë reaguar nga Kabineti I Kryeparlamentarit Gashi, duke I quajtur të pavërteta pohimet e BDI-së, pasi sic thonë, fjalimi është mbajtur në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
“Takimi ishte plotësisht transparent, i hapur për publikun dhe mediat, ku kryeparlamentari Gashi mbajti fjalimin e tij në gjuhën shqipe dhe maqedonase, duke iu përmbajtur me përpikëri ligjit, Rregullores dhe Kushtetutës. Çdo deklaratë ndryshe nga kjo, paraqet akuzë të pabazë dhe fyerje jo vetëm për kryeparlamentarin Gashi, por edhe për vetë institucionin e Kuvendit dhe tentim për shtrembërim të së vërtetës. Këto pretendime i minojnë vlerat e së vërtetës dhe unitetit” – thonë nga Kabineti i Gashit.
Kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN duke përgënjeshtruar, sic thonë, gënjeshtrat e BDI-së. Për Gashin, nga VLEN thonë se bëhet fjalë për një figurë të kompletuar për ta përmbushur këtë detyrë, intelektual, modest, i sinqert dhe sic thonë, tmerri i të pamoralshmëve, të korruptuarve, dhe anti-shqiptarëve. Prandaj, sipas tyre, edhe është bërë fiksim i BDI-së. /tvklan.mk/