PËR 79.9% RRITEN INFEKTIMET E REJA NË KRAHASIM ME JAVËN E KALUAR
Në Spitalin e Fëmijëve në Kozle të Shkupit, rreth 20 fëmijë kontrollohen brenda ditës. Për momentin aty janë të hospitalizuar shtatë fëmijë me COVID-19 dhe në spital janë pranuar të shoqëruar nga prindi.
Një foshnje 8 ditëshe është pacientja më e vogël me COVID-19 e hospitalizuar në Spitalin e Fëmijëve në Kozle të Shkupit. Në këtë spital janë të shtruar tetë fëmijë, më I moshuari është 15 vjec. Thuajse në të gjitha rastet, krahas fëmijëve pozitiv janë edhe prindërit., raporton Klan M.
“Për momentin në spital kemi 8 fëmijë, nga të cilët fëmija më i vogël është vetëm 8 ditësh, ndërsa pacienti më i madh është 15 vjeç, gjithashtu këta fëmijë shoqërohen nga nënat e tyre, nga të cilat 6 nëna janë pozitive me Covid-19.” – Rejhan Ismaili Hiseni – pediatre në spitalin e fëmijëve Kozle.
Sipas mjekes Hiseni, numri më i madh i fëmijëve që janë shtruar në covid-spitalin janë pranuar gjatë kësaj jave dhe numri i të infektuarve vazhdisht rritet. Si arsye përmenden mosrespektimi i masave për mbrojtjen nga Covid-19 me pjesëmarrjen në ahengje familjare dhe kthimi nga pushimet jashtë vendit.
“Me largimin e masave, dhe gjithashtu me shtimin e ardhjes së kurbetçarëve, shtimin e ahengjeve familjare dhe festave, dhe pushimeve jashtë vendit e në ato vende heqja e plotë e masave dhe kthimi i tyre ka shkaktuar rritje të numrit të pacientëve me Covid-19. Është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve dhe numri i pacientëve që vijnë në ambulancë dhe kërkojnë ndihmë kryesisht me rritje të temperaturës dhe simptomave respiratore si dhe simptomave gastrointestinale.” – deklaroi Rejhan Ismaili Hiseni.
Ndërkaq, Raporti Javor i ISHP-së, për periudhën nga 04 deri më 10 Korrik njofton se gjatë javës së shkuar janë regjistruar 1.731 raste të reja positive me COVID-19 që paraqet rritje për 79.9% në krahasim me javën paraprake.
Nga Klinika Infektive për Klan Maqedoni thanë se shifrat e infektimeve të reja gradualisht po rriten duke shpresuar se nuk do të përsëritet skenari I verës së kaluar.
“Numri i të hospitalizuarve është 10 pacientë, kurse brenda ditës paraqiten rreth 30 kontrolle në ambulancë. Shpresoj se nuk do të përsëritet skenari i vitit të kaluar. Që të jetë kështu duhet të zbatohet vaksinimi tek popullata” – tha dr.Milena Stevanoviq – drejtore e klinikës infektive.
Ndryshe në vendin tonë pas fillimit të zbatimit të vaksinimit me dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19, autoritetet e shëndetësisë njoftojnë se deri më tani 805 qytetarë janë imunizuar me dozën e katërt. /KlanMacedonia/