Gjermania paralajmëron ndalimin e hyrjes për sportistët rusë

Sportistë nga Rusia mund të përballen me refuzimin e hyrjes në Gjermani nëse lejohen të marrin pjesë përsëri në ngjarje sportive ndërkombëtare, tha ministrja e Brendshme Nancy Faeser.

Faeser u tha gazetave të hënën se për atletët rusë do të zbatohen rregulloret përkatëse të vizave.

“Vendet ku zhvillohen ngjarje të mëdha sportive nuk janë të pafuqishme. Ata mund të kontrollojnë nëpërmjet lëshimit të vizave nëse rusët mund të marrin pjesë në gara,” tha Faeser.

“Ne mund të veprojmë në përputhje me rrethanat kur organizojmë gara ndërkombëtare në Gjermani. Ne do të veprojmë gjithmonë me një qëndrim të qartë për këtë”, tha ajo.

Atletët nga Rusia dhe Bjellorusia janë ndaluar të marrin pjesë në shumicën e ngjarjeve sportive ndërkombëtare që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Komitieti Ndërkombëtar Olimpik (KNO) tani ka rekomanduar ripranimin e tyre, në kushte strikte dhe si atletë neutralë.

Përderisa organet drejtuese të sporteve të atletikës dhe të kalërimit kanë thënë se nuk do të heqin ndalimin e tyre, të tjerë si gjimnastika, mundja dhe luftërat me shpata janë gati t’i mirëpresin ata.

Kjo ka bërë që Gjermania, Polonia dhe vende të tjera të thonë se nuk do të organizojnë gara të luftërave me shpata, që parashiheshin të mbahen këtë vit.

Politikanët nga më shumë se 30 vende – kryesisht perëndimore – kishin shprehur kundërshtime të forta ndaj planeve të KNO-së, por presidenti i këtij Komiteti ka sulmuar qeveritë lidhur me këtë qëndrim, duke paralajmëruar se një ndërhyrje e tillë mund të jetë fundi i Lojërave Olimpike dhe ngjarjeve ndërkombëtare sportive.

Por Faeser tha se t’i ofrohet presidentit rus, Vladimir Putin,”një skenë propagandistike” do të tradhtonte të gjitha vlerat e sportit.

Gjithashtu ajo tha se është “krejtësisht e papranueshme që atletët ukrainasë të përballen me atletë që konkurrojnë për një vend që po vret kaq shumë civilë në Ukrainë”. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share