Gjermania paralajmëron Izraelin kundër ofensivës ushtarake në Rafah

Gjermania ka paralajmëruar Izraelin kundër një ofensive ushtarake në Rafah, ku aktualisht janë strehuar mbi 1.4 milionë civilë palestinezë, transmeton Anadolu.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në platformën sociale X tha se “një ofensivë në shkallë të gjerë në Rafah nuk mund të justifikohet”.

“Mbi një milion njerëz të zhvendosur kanë kërkuar strehim atje, nuk kanë ku të shkojnë. Një armëpushim humanitar është i nevojshëm menjëherë në mënyrë që të mos vdesin më njerëz dhe që pengjet të lirohet përfundimisht”, tha Baerbock.

Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar, sot qeveria izraelite njoftoi se janë autorizuar planet për një ofensivë ushtarake në qytetin Rafah në Gazën jugore.

“Kryeministri izraelit Netanyahu autorizoi planet për një operacion ushtarak në Rafah dhe ushtria po përgatitet operacionalisht për të dhe për evakuimin e banorëve”, tha zyra e kryeministrit izraelit në një deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Të paktën 31.490 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza dhe 73.439 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e saj, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

Lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vend të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share